Ushtria ukrainase ka rimarrë mbi 600 vendbanime nga forcat ruse gjatë muajit të fundit, tha Ministria për Riintegrim e Territoreve të Pushtuara Përkohësisht, teksa Moska po vazhdon të kryejë sulme ajrore ndaj disa qyteteve duke vrarë civilë.
Rreth 502 vendbanime janë çliruar në rajonin verilindor të Harkivit, ku forcat ukrainase muajin e kaluar përparuan thellë në linjat ruse dhe 75 lokalitete janë rimarrë në rajonin strategjik të Hersonit, tha ministria ukrainase në orët e vona të 13 tetorit.
Kjo ministri tha se 43 vendbanime janë çliruar në rajonin e Donjeckut dhe shtatë në atë të Luhanskut.
“Zona e territoreve të çliruara ukrainase është rritur ndjeshëm”, tha Ministria për Riintegrim në një deklaratë të postuar në ueb-faqen e saj.
Këto pretendime të palës ukrainase nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes së Britanisë, në përditësimin ditor për luftën në Ukrainë, tha më 14 tetor se në tri ditët e fundit, forcat pro-ruse kanë bërë përparime taktike drejt qendrës së qytetit Bahmut, në rajonin lindor të Donjeckut, shkruan REL.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një video-adresimi në orët e vona të 13 tetorit tha se luftimet “brutale” po vazhdojnë në Bahmut.
Zelensky tha se forcat ukrainase po e mbrojnë Bahmutin me “veprime të shkathëta dhe heroike”.
Katër rajone ukrainase, që janë pjesërisht të pushtuara nga Rusia – Hersoni, Zaporizhja, Donjecku dhe Luhansku – u aneksuan paligjshëm nga Moska muajin e kaluar, në kohën kur kundërofensiva e forcave ukrainase përparoi me shpejtësi në verilindje, lindje dhe jug të Ukrainës. Aneksimi i rajoneve është cilësuar nga Kievi dhe Perëndimi si veprim i paligjshëm.
Zelensky u bëri thirrje ukrainaseve që të jenë të kujdesshëm, pasi më 14 tetor mund të ketë më shumë sulme ajrore ruse. Më 14 tetor shënohet Dita e Mbrojtësve të Ukrainës.
“Ne definitivisht do të festojnë – secili në vendin e vetë – sepse është një prej ditëve më të rëndësishme që kemi. Dita e Mbrojtjes, Dita e Mbrojtësve të Ukrainës”, tha Zelensky.
Më 13 tetor, Rusia sulmoi me raketa dhe dronë dhjetëra qytete ukrainase, duke vrarë të paktën pesë persona në Mikolajiv, thanë zyrtarët.
Mikolajivi, në jug të vendit, është një qytet-port buzë Lumit Buh, dhe shpesh ka qenë cak i sulmeve ruse. Shtabi i Përgjithshëm i forcave ukrainase tha se në sulmet e fundit në këtë qytet janë përdorur edhe raketa të llojit S-300.
Ndërkaq, Zelensky gjatë një adresimi virtual para Këshillit të Evropës më 13 tetor tha se Ukraina ka nevojë që të mbrojë qiellin.
“Nëse kjo arrihet, do të ishte një hap i rëndësishëm për t’i dhënë fund luftës në një të ardhme të afërt”, tha ai.
Shtetet perëndimore kanë premtuar se do të dërgojnë në Ukrainë sisteme të mbrojtjes ajrore. Britania tha se do t’i japë Kievit raketa për sistemin e avancuar kundërajror NASAM që Pentagoni ka njoftuar se do të dërgojë në Ukrainë në javët në vijim.
Britania po ashtu ka thënë se do të dërgojë në Ukrainë qindra dronë dhe mbështetje logjistike, plus edhe 18 obusë.
Edhe shtete të tjera të NATO-s kanë premtuar se do t’i japin Ukrainës sisteme raketore me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi.
Ndërkaq, të evakuarit nga Hersoni, pritet të arrijnë në Rusi më 14 tetor, pasi një zyrtar i instaluar nga Moska sugjeroi se banorët do të largohen për shkaqe sigurie, teksa forcat ukrainase po bëjnë përparime në këtë rajon, që Moska pretendon se e ka aneksuar.