Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kanë marrë mesazhet nga nivelet e larta politike dhe diplomatike të Bashkimit Evropian, në veçanti Gjermanisë dhe Francës, për t’iu qasur seriozisht arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht obliguese ndërmjet dy vendeve, vlerësojnë njohësit e proceseve politike, në Kosovë dhe Serbi, Agon Maliqi dhe Dushan Janjiq.
Sipas tyre, këtë e dëshmojnë edhe deklaratat e ditëve të fundit të Kurtit dhe Vuçiqit lidhur me nismën franko-gjermane, e cila në mediat në Kosovë dhe rajon është përshkruar si dokument-propozim që përmban kornizën e re, mbi të cilën do të bisedohet për arritjen e marrëveshjes që do të zgjidhë kontestin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Propozimi franko-gjerman “udhëzues dhe sugjerues”
Njohësi i proceseve politike, Agon Maliqi, bashkëthemelues i blogut “Sbunker”, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e Kurtit dhe Vuçiqit, drejtpërdrejt apo tërthorazi, konfirmojnë se ekziston propozimi francezo-gjerman. Por, sipas tij, ky propozim nuk duket të jetë i detajuar krejtësisht, por jep një kornizë të përafërt të asaj që është e mundshme.
“Dokumenti më shumë është si udhëzues, si sugjerues dhe palët po kapen për elementet e saj, për sfera që duken të dobishme në këtë moment për komunikim strategjik. Kosova besoj që ndoshta sheh hapësirë për optimizëm, për faktin se në këtë formulë – ku sipas të gjitha gjasave nuk parashihet njohja e drejtpërdrejtë, por më shumë implicite – ulet edhe presioni për Kosovën për ta bërë ndonjë kompromis të madh në lidhje me Asociacionin [e komunave me shumicë serbe]. Kështu që, ndoshta aty [në dokument] Kosova e sheh një lloj hapësire për një marrëveshje që së brendshmi mund të jetë më e pranueshme”, thotë Maliqi.
Testim për të definuar zgjidhjen përfundimtare”
Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga nënshkrimi Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, janë zhvilluar përgjithësisht bisedimet teknike. Por, sipas tij, dokument propozimi franko-gjerman synon që dialogun ta ngritë në nivelin krejtësisht politik.
“Është lëshuar vetëm si një testim i çështjes- nuk e di se me marrëveshjen e kujt është bërë kjo – pra, të çështjes së statusit, çështjes së definimit të zgjidhjes përfundimtare. Dhe, ajo sillet nëpër opinion. Unë, me sa di, ka mjaft çështje brenda, përndryshe kjo letër do të ishte e padobishme”.
“Së pari, duhet ta dimë se kjo letër bart qëndrimin e Gjermanisë dhe Francës. Për të duhet të deklarohen Prishtina dhe Beogradi, por do të shohim reagime edhe të Britanisë (së Madhe). Do të ishte ideale që një ditë, nga ky proces, të shndërrohet në platformë të përbashkët për negociata”, thekson Janjiq.