Dy aksidente në Podujevë, 8 të lënduar

 

Dy aksidente kanë ndodhur mëngjesin e sotëm në Podujevë, me ç’rast janë lënduar 8 persona.

Në njërin aksident u lënduan pesë persona kurse në tjetrin tre.

Rastet për Indeksonline i ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 07:30, në rrugën Podujevë -Shajkovc, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë. Si pasojë e aksidentit pesë persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Policia ka nisur një hetim për zbardhjen e shkaqeve të këtij vetaksidenti”.

“Rreth orës 07:10, është pranuar informata për një aksident trafiku rrugor të ndodhur në rrugën “Ali Ajeti” në Podujevë. Në aksident janë përfshirë dy vetura ndërkaq  tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Të njëjtit kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti”.