Qytetarët e Kosovës janë ndër të vetmit në rajon që nuk kanë sigurime shëndetësore.
Ministria e Shëndetësisë, thotë se në bazë të Programit Legjislativ Qeveritar për vitin 2022, ka hartuar një draft të Projektligjit për sigurime shëndetësore i cili pritet të finalizohet.
Ndërsa nga Shoqata e Pacientëve thonë se pa sigurime shëndetësore nuk mund të presin një reformë në shëndetësi dhe çdo ndryshim tjetër që bëhet është vetëm ndryshim kozmetikë.
Kosova është një ndër vendet e vetme që nuk ka sigurime shëndetësore. Qytetarët në Kosovë tash e sa vite vazhdojnë të presin nga qeveritë që t’ua bëjnë sigurimin shëndetësor.
Nga Ministria e Shëndetësisë, në një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën, kanë thënë se Projektligji sa u përket sigurimeve shëndetësore është në proces të finalizimit dhe pas konsultimit me ekspert të jashtëm, do të përcillet për konsultime publike sipas procedurave.
Ministria e shëndetësisë në bazë të Programit legjislativ qeveritar për vitin 2022, ka hartuar një draft të Projektligjit për sigurime shëndetësore. Zyrtari përgjegjës për hartim dhe finalizim të këtij Projektligji është në proces të finalizimit dhe konsultimit me ekspert të jashtëm në lidhje me përmbajtjen e këtij projektligji, sipas rekomandimeve të Ministrit. Pas përfundimit te të gjitha procedurave administrative, drafti i këtij projektligji do të përcillet për konsultime publike sipas procedurave.
Besim Kodra, nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, ka thënë se sigurimet shëndetësore ndikojnë në cilësinë e shërbimeve shëndetësore. Por sipas Kodrës, vetëm institucionet që kanë ndikim në sistemin shëndetësor mund t’i çojnë proceset përpara për sa i përket sigurimeve shëndetësore.
“Pa fillimin e sigurimeve shëndetësore, nuk mund të presim një reformë në sistemin shëndetësor dhe çdo ndryshim tjetër që bëhet në shëndetësi, është kozmetike. Nuk është një ndryshim bazik që i duhet institucionit shëndetësor kosovar. Mirëpo pa ndihmën e institucioneve të tjera që kanë ndikim në sistemin shëndetësor, e pa ndihmën e qeverisë që ka ndikim në sigurimet shëndetësore, vetëm Ministria e Shëndetësisë nuk mundet t’i shtyjë proceset parapara”, tha ai.
Deri më tani për sa u përket sigurimeve shëndetësore, Ministria e Shëndetësisë, ka hartuar vetëm një draft të Projektligjit për sigurime shëndetësore e i cili ende nuk është finalizuar.