Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit me iniciale H.S., për veprën penale ‘’Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist’’ nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së.
Kjo u bë e ditur me anë të një komunikate për media nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri H.S., me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën e mitur ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës përmes Aeroportit Ndërkombëtarë “Adem Jashari” në Prishtinë, ka udhëtuar për në Stamboll – Turqi dhe përmes lidhjeve të caktuara ka depërtuar në Siri me qëllim që t’i bashkëngjitet Organizatës terroriste ‘’ISIS’’ e cila në këto vende ka qenë duke luftuar ku edhe është angazhuar si pjesëtarë i ‘’ISIS-it’’, si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e ‘’ISIS-it’’, është financuar nga ‘’ISIS’’ me shumën e të hollave prej nga 100 dollar në muaj duke bashkëpunuar edhe me epror dhe luftëtarë të ‘’ISIS-it’’, thuhet në komunikatë.
Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale ‘’Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist’’ nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së.