Partia Demokratike e Kosovës ka prezentuar një artikull të shkruar në revistën e njohur franeze “Petit Fute” ku Kosova portretizohet si vend ku lindën manastiret ortodokse serbe. Ky artikull, sipas PDK-së është sponsorizuar nga Qeveria e Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka folur në lidhje me këtë çështje në Kuvendin e Kosovës, duke e quajtur “skandaloze” dhe duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Tregtisë.
PDK thotë se ky artikull në këtë revistë franceze është sponsorizuar nga Agjencia Kosovare për Promovimin e Investimeve (KIESA).
Kosova paraqitet si vend i lashtë, por nuk kuptohet qëllimi i qeverisë e cila në këtë artikull të sponsorizuar e paraqet Kosovën vend ku lindën kishat ortodokse serbe.
“Ajo gjithashtu ka qenë një tokë bizantine ku lindën manastiret e saj madhështore ortodokse serbe”, thuhet në shkrimin e sponsorizuar nga buxheti i taksapaguesve kosovarë, sipas PDK-së.
“Qysh është e mundshme me promovu si vend ku kanë lind manastiret ortodokse serbe. I nderumi ma dërgoi revistën, magazina, Qeveria promovon një artikull, në këtë rast MTI, e cila mes tjerash thotë se “Kosova ka qenë tokë bizantine, ku lindën Manastiret Ortodokse Serbe”. Kjo është një doktrinë e shtetit serb. Një promovim i artikullit të tillë, unë nuk e di çka ma tutje Vuçiqi, Tadiçi e Jeremiq”, tha në Kuvendin e Kosovës shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Në vazhdim të artikullit thuhet se Kosova ishte vendi më i varfër deri në shkurtin e vitit 2022 prej kur sipas artikullit ka filluar të fryj erë lirie.