Nga Qeveria Kurti e përsërisin edhe sot: S’ka paga për mësimdhënësit grevistë

Qeveria e Kosovës e ka ripërsëritur qëndrimin sa i përket pagave të mësimdhënësve të cilët mbajtën grevën për pesë javë radhazi.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se parimi pagë për punë, do të respektohet.

Sipas tij, mësimdhënësit që kanë mbajtur mësim do të kompensohen, duke lënë kështu të nënkuptohet se Qeveria nuk tërhiqet nga vendimi për t’u paguar muajin shtator edhe mësimdhënësve të cilët ishin në grevë.

“Parimi ‘pagë për punë’ do të respektohet. Mësimdhënësit që kanë mbajtur mësim do të kompensohen”,shkroi ai, teksa shpërndau statusin e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci në lidhje me këtë çështje.

Ndryshe Qeveria mori vendim që të mos paguajë mësimdhënësit për muajin shtator, vendim ky që ngjalli shumë reagime në vend.

Opozita, shoqëria civile, por edhe qytetarë të shumtë kanë kundërshtuar këtë vendim të qeverisë duke theksuar se kjo gjë është antiligjore.

Madje është theksuar se mësimdhënësve duhet t’u jepen pagat, në mënyrë që mësimi të vazhdojë në mënyrë të rregullt.

E përkundër kësaj, nga Qeveria Kurti assesi nuk kanë vendim tjetër përpos mos pagesës për mësimdhënësit.

E siç duket ky vendim ka vënë edhe më tepër pakënaqësi tek SBASHK-u dhe tek mësimdhënësit në përgjithësi.

Të njëjtit janë në pritje nëse Qeveria do të ndryshojë këtë vendim gjatë ditëve në vijim e do t’u paguajë atyre edhe muajin shtator.

Por mesa duket nga reagimi i fundit i Kryeziut, një gjë e tillë nuk do të bëhet.