Shefi i deputëtëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri e ka cilësuar si vendim absurd dhe presion politik vendimin që Qeveria të mos iu ekzekutojë paga mësimdhënësve grevistë për muajin shtator.
Ai në një postim në Facebook ka thënë se presioni politik ka vazhduar që nga dita e parë dhe po vazhdon edhe me ndalimin e pagave.
“Kjo në esencë është hakmarrje politike ndaj një kërkese që buron nga një organizim sindikal. Për këtë arsye kemi vendosur që thërrasim në interpelancë në seancën e së premtes ministrin, Hekuran Murati.”, ka thënë Tahiri.
Tahiri gjithashtu ka thënë se është shqetësuese ndërhyrja flagrante e Qeverisë në cenimin e kontratave të punës së shërbyesve civilë sa i përket Ligjit që është në konsultim publik në qeveri.
Ky është statusi i tij:
Në deklarimin para mediave pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ndër të tjera ngrita shqetësimin për mos ekzekutimin e pagave të grevistëve.
Ky veprim i Qeverisë është absurd! Presioni politik ka vazhduar që nga dita e parë e po vazhdon edhe me ndalimin e pagave. Kjo në esencë është hakmarrje politike ndaj një kërkese që buron nga një organizim sindikal. Për këtë arsye kemi vendosur që thërrasim në interpelancë në seancën e së premtes ministrin, Hekuran Murati.
Gjithashtu, sa i përket Ligjit të që është në konsultim publik në Qeveri për Zyrtarët Publikë, është shqetësuese ndërhyrja flagrante e Qeverisë në cenimin e kontratave të punës së shërbyesve civilë.
Gjithashtu, para gazetarëve theksova se integrimi evropian duhet të jetë top prioritet i Qeverisë. Qeveria duhet ta intensifikojë lobimin fillimisht për liberalizim të vizave e pastaj të punohet në sigurimin e njohjes nga pesë vendet e BE-së sepse mosnjohja nga ana e tyre po e pengon Kosovën në proceset integruese.