Konfirmon BE: Liberalizimi i vizave në rend dite më 13 tetor

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian e ka vendosur edhe zyrtarisht në rend dite diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sipas planit që ka prezantuar ajo, çështja e vizave do të diskutohet më 13 tetor.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.

Në qershor të vitit 2016, Komisioni Evropian pati vlerësuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, mirëpo pati vënë kusht për finalizim të procesit që të arrihej marrëveshje për ratifikimin e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, dhe që të kishte rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë.

Më pas më 2018, Komisioni Evropian pati konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe pati propozuar liberalizim.

Parlamenti Evropian e ka mbështetur këtë vendim, mirëpo disa vende skeptike si Franca dhe Holanda nuk janë pajtuar me vlerësimet e Komisionit në tërësi.

 

Në mesin e shqetësimeve të tyre ishte edhe ajo e rritjes së numrit të banorëve të Kosovës që do të synonin BE-në dhe keqpërdorimin e lirisë së lëvizjes për të kërkuar azil në bllokun evropian.

Raste të tilla kanë ndodhur me shtetasit e Shqipërisë, Gjeorgjisë dhe disa vendeve tjera.

 

 

Zyrtarë të BE-së besojnë se tani ekziston “moment pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën”, duke shtuar se ky proces “duhet të finalizohet brenda disa muajve”.

Nëse arrihet pajtueshmëri, liberalizimi i vizave do të vlejë për bartësit e pasaportave biometrike të Kosovë.

Përveç vendeve të BE-së, qytetarët e Kosovës do të mund të lëviznin edhe në Zvicër, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn.