Të enjten kryesia e Kuvendit të Kosovës ka njoftuar se e ka dërguar për mendim projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale. Projektligj ky i cili iu mundëson qytetarëve të Kosovës të tërheqin 30% nga kursimet e tyre në Trust. Ky veprim është mirëpritur nga iniciuesi i saj njëherit deputeti i Partisë Demokratike, Bekim Haxhiu.
Haxhiu në prononcim për Insajderin, tha se ata që nuk votuan herën e para Trustin, e kanë rastin ta përmirësojnë gabimin e tyre.
“Qeveritarët dhe deputetët e LVV-s duhet te reflektojnë dhe ta mbështesin Projektligjin për Trusti, më mirë qytetarët të marrin disa nga kursimet e tyre në Trust se sa ato të humbasin ne tregjet ndërkombëtare. Kjo iniciativë ligjore ka ardhë si domosdoshmëri për shkak të situatës nëpër të cilën po kalojnë qytetarët tonë, për shkak të krizës ekonomike, inflacionit dhe rritjes se çmimeve”, ka thënë deputeti i PDK-së.
“Ata që votuan kundër Projektligjit për Trustin herën e kaluar duhet të përgjigjen para qytetarëve dhe ta përmirësojnë gabimin tani kur Projektligji për Trustin po rikthehet në Kuvend me mbi 21 398 mijë nënshkrime të qytetarëve që u mblodhën për 8 ditë”, tha ai.
Ai thotë se shpreson që qeveria të mos e vonojë procedurën për projektligjin e Trustit, teksa përmend humbjet e pësuara.
“Projektligji për Trustin është procedua për mendim në Qeveri, shpresoj që Qeveria mos ta vonoj 30 ditë sa e ka afatin ligjor, por ta procedoj më shpejt në Kuvend pasi që tanimë është e njohur me materien e projektligji dhe me faktin se Trusti ka humbur 161. 6 milionë € të kursimeve pensionale për 7 muaj, përgjatë periudhës janar-korrik 2022“, ka deklaruar iniciuesi i këtij projektligji.
Sipas tij qytetarët kanë të drejt të tërheqin paratë e tyre.
“Është shumë më e drejtë që t’iu mundësohet qytetarëve të tërheqin deri 30% të kursimeve të tyre në Trust, se sa parat e Trustit të humbin në tregjet ndërkombëtare. Pres mbështetje për kërkesën e qytetarëve në këtë thellim enorm të krizës ekonomike”, deklaroi Haxhiu për Insajderin.
Projektligji për tërheqjen e mjeteve nga TRUST-i nuk pati kaluar në Kuvendin e Kosovës, pas inicimit nga Partia Demokratike e Kosovës.
Në muajin korrik, organizatorët e peticionit për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit dorëzuan në Kuvendin e Kosovës nënshkrimet e mbledhura në të gjitha komunat e Kosovës përmes së cilave kërkonin t’i bindin ligjvënësit që t’ju plotësohet kjo kërkesë.