Memli Krasniqi: Kryeministër, mësimdhënësit nuk po kërkojnë pazare e as lëmoshë, por vetëm dinjitet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar sërish lidhur me grevën në arsim. Ai ka shkruar se mbi 300 mijë nxënës po vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi edhe sot, e do të duhej të ishin në shkollë qe gati tri javë. “Refuzimi i qeverisë për dialog po vazhdon t’i dëmtojë të gjithë, e më së shumti nxënësit.

Nga 1 shtatori, jeta e prindërve dhe mësimdhënësve është vështirësuar edhe më tej. Kjo bllokadë, që po ndodhë si pasojë e kokëfortësisë së Qeverisë, kërkon zgjidhje urgjente”. “Mësimdhënësit nuk po kërkojnë pazare e as lëmoshë – por, vetëm dinjitet! Dinjiteti është boshti i veprimtarisë së tyre historike dhe qeveria nuk duhet t’ua mohojë këtë vlerë.

Janë po këta njerëz që edhe në periudha më të vështira kanë ruajtur dinjitetin tonë njerëzor e kombëtar. Duhet t’i mirëkuptojmë, sepse janë prindërit tonë të dytë. Kryeministër, për hir të fëmijëve, gjej zgjidhje!”, ka shkruar Krasniqi.