Pensionistët iu dhurojnë lule deputetëve: Na bëni pensionet 350 euro 3 min read

Pensionistët sot shpërndanë lule për deputetët e Kuvendit e bashkë me të dhe broshura me dy kërkesa. E para që të hiqet kushtëzimi për t’u lajmëruar pranë zyrave përkatëse çdo 6 muaj për të dëshmuar se janë gjallë dhe e dyta që të subvencionohen me nga 100 euro çdo muaj deri në rritjen e pensioneve.

Ky aksion simbolik që u organizua në kuadër të kampanjës “Dinjitet për pensionistët” mori mbështetjen edhe të deputetëve, kryesisht atyre opozitarë që ndaluan për të biseduar me pensionistët që ishin pranë hyrjes së Kuvendit.

Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi, deklaroi se të njëjtat kërkesa i kanë dërguar edhe të ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.

“Kërkesa e parë është që të hiqet obligimi të lajmërohemi çdo gjashtë muaj që jemi gjallë dhe kërkesa e dytë është që të subvencionohemi me nga 100 euro deri në miratimin e ligjit… Vet aksioni simbolizon kërkesën e parë që ne jemi gjallë, nuk kemi vdekur, por që është absurdi më i madh. Ne i kemi dërguar shkresa tre herë ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe nuk na janë përgjigjur dhe nuk na kanë pranuar ku në mënyrë taksative i kemi kërkuar të drejtat tona, absolutisht nuk kërkojmë asgjë tjetër përpos të respektohet Ligji aktual për skema pensionale. Ne i kemi edhe projektin për ndryshimin e këtij ligji aktual, e kemi edhe projektin për ligjin e sigurimeve pensionale gjë që nuk e ka Kosova”, tha ai.

Gashi paralajmëroi se nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre nuk do të ketë më aksione të tilla paqësore, por do të radikalizojnë veprimet e tyre.

Një tjetër pensionist, Avdullah Sopi, tha se duan që pensioni të rritet 350 euro dhe më pak se kjo shumë nuk iu shërben asgjë.

“Tash po lypim të rriten pensionet. 65 euro e kam pasur kur kam hyrë në pension. Që dy vjet mu ka bërë 195 euro. Po lypi pensionin me ma rrit, me ma bo 350 euro, qashtu më vye, nuk me vyejnë as 250 euro, as 280, por 350”, tha ky pensionist.

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, që mori lule dhe broshurën, u shpreh se pajtohet me kërkesat e pensionistëve pasi të njëjtin problem e ka edhe nëna e tij.

“E para të eliminohen që pensionistët të lajmërohen çdo 6 muaj që janë gjallë, që pajtohem se nëna ime me të gjitha problemet shëndetësor e ka të pamundur. Dhe e dyta që qeveria t’u ndaj subvencione pensionistëve çdo muaj deri në rritjen e pensioneve, edhe këtu pajtohem. Kërkesa minimale dhe unë pajtohem me këto”, tha Mustafa.

Iniciuesi i kampanjës “Dinjitet për pensionistët”, Xhevdet Pozhari, tha se deputetët e partive politike e kanë kuptuar mesazhin e këtij aksioni dhe që këtu s’ka të bëjë asgjë me politikë.

Sipas tij, kushti që pensionistët të lajmërohen çdo 6 muaj në Qendrat për Punë Sociale mund të bëhet ndryshme në kohën e zhvillimit teknologjik.

“Deri më tash kemi pasur kontakte të vazhdueshme ngase sapo ka nisur kampanja ‘Dinjitet për pensionistët’ ka pasur nga partitë të ndryshme që e kanë drejt mesazhin se këtu s’ka të bëjë për ndarje partiake, politike apo grupe të caktuara. Të gjithë kemi prindër, të gjithë kemi gjyshër, dhe kryeministri dhe presidentja, kanë në shtëpi prindër, të cilët kanë nevojë për dinjitet. Siç angazhohen për prindërit e tyre duhet të kujdesën edhe për prindërit e të tjerëve”, deklaroi Pozhari.

Kampanja “Dinjitet për pensionistët” do të vazhdojë në rrjete sociale ndërsa u paralajmëruan se mund të ketë edhe aksione të tjera.