Ministrat urdhërohen nga Kurti të përpilojnë një raport me “top 4-5 të arriturat” dhe “4-5 të këqijat e qeverisjeve të kaluara”

Ministrat e Qeverisë janë urdhëruar nga shefi i tyre, Albin Kurti, që ta përpilojnë një raport me “top 4-5 të arriturat” dhe “4-5 të këqijat e qeverisjeve të kaluara”.

Nuk ka qenë e vështirë të kuptohet propaganda qeveritare, por dokumentet zyrtare dhe shkresat e brendshme rreth formësimit të saj kanë arritur t’i mbajnë larg qytetarëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas mbledhjes së djeshme të Qeverisë, i ka urdhëruar të gjitha ministritë edhe përmes Sekretariatit Koordinues të Qeverisë (SKQ), që t’i raportojnë “top 4-5 të arriturat” për periudhën e mbetur të vitit, por edhe “4-5 të këqijat e qeverisjeve të kaluara”.

Sipas e-mailit të SKQ-së që ka siguruar Demokracia.com, Kurti përmes këtij sekretariati u ka kërkuar ministrave të tij që të raportojnë për 4-5 të këqijat e qeverisjeve të kaluara, që qeverisja e tij kinse ka arritur t’i ndalojë.

Po ashtu, SKQ-ja, me propozim të Kurtit, ka urdhëruar ministritë që t’i raportojnë top 4-5 të arriturat për periudhën e mbetur të vitit, por siç thuhet në e-mail, këto të arritura “mundësisht të jenë me sa më shumë shifra”.