Britania dhe SHBA kanë furnizuar Ukrainën me armë, cilat lloje janë dërguar deri më tani

Britania e Madhe është vendi, i cili pas SHBA-së ka dërguar më së shumti armë në Ukrainë. Por Gjermania po shton numrin e armëve të dërguara.

Paketa e fundit e ndihmave e Uashingtonit për forcat e armatosura të Ukrainës kap vlerën e 675 milionë dollarëve. Në paketën e 20-të të ndihmave amerikane gjenden 100 transporterë Humvee, për mbrojtjen e ushtarët ukrainas në front. Lartë në listën e armëve që dërgohen është edhe municioni për artileri HIMARS (High Mobility Artillery Missile Systems). Këto të dhëna i ka publikuar Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Lloyd Austin, në takimin e pestë të të ashtuquajturit Grupi i Kontaktit të Ukrainës në fillim të shtatorit në bazën ajrore Ramstein në Gjermani. Është e paqartë nëse Uashingtoni po shqyrton edhe dërgimin e raketave me rreze të shkurtër ATACMS, të cilat mund të shkrepen nga sistemet HIMARS dhe kanë një rreze veprimi prej 300 kilometrash.

Dërgesat e planifikuara plotësojnë kapacitetet e dërguara muajve të fundit, për shembull me 36.000 copë municion për 24 pajisjet artilerike Howitzer. Ushtria ukrainase ka mundur ta përdorë këtë artileri prej korrikut për t’u përgatitur për rimarrjen e pjesëve të pushtuara nga Rusia në veri-lindje dhe pjesërisht në jug të Ukrainës. Me këto armë mund të goditen në mënyrë efikase kanalet ruse të furnizimit dhe depot e municionit.

“Paketa dimërore” e planifikuar tani përfshin pajisje shtesë për shikim natën, pajisje dimërore për ushtarët dhe 50 autoambulanca të blinduara. Në total, SHBA-ja ka dërguar deri tani 14.5 miliardë dollarë ndihmë për forcat ukrainase të sigurisë prej fillimit të pushtimit rus me 24 shkurt. “Fytyra e luftës” në Ukrainë po ndryshon, deklaroi Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, para përfaqësuesve të më shumë se 40 aleatëve që mbështesin Ukrainën me pajisje ushtarake, gjatë vizitës së tij të fundit në Ramstein. Shumë ushtarë ukrainas janë ende duke u vrarë përgjatë vijës së frontit, për shkak të mungesës së automjeteve të blinduara. Kjo rrit presionin në veçanti ndaj Gjermanisë. Ukraina ka kërkuar automjete të blinduara nga Berlini që nga marsi, si për shembull tanke “Marder”.

 

 

Britania e Madhe

Ndryshe nga SHBA-ja, Ministria Britanike e Mbrojtjes ka publikuar shumë pak të dhëna për armët e dërguara në Ukrainë. Ngjashëm sikur HAIMRAS të SHBA-së, mendohet se edhe sistemet e artilerisë si M270 MLRS (Multiple Launch Rocket System) mund ta kenë ndihmuar Ukrainën në sukseset e fundit për rimarrjen e kontrollit në shumë zona të pushtuara nga Rusia.

 

 

Në fillim të qershorit, Londra njoftoi se kishte nisur një program të gjerë për të trajnuar ushtarët ukrainas për këto armë. Është e paqartë saktësisht se sa forca të armatosura ukrainase kanë kaluar ndërkohë programin e trajnimit britanik. Sipas qeverisë, duhet të kenë qenë “disa qindra” të cilët janë trajnuar kryesisht në sistemet e artilerisë – përveç MLRS, kjo vlen edhe për artileritë më të lehta Howitzer.

 

 

Analistët ushtarakë supozojnë se ky trajnim solli avantazhin vendimtar për forcat ukaainase, veçanërisht gjatë aksioneve të fundit në Ukrainën verilindore. Në fund të qershorit, në margjinat e samitit të NATO-s në Madrid, Londra njoftoi se po financonte blerjen e sistemeve moderne të mbrojtjes ajrore, dronëve dhe municioneve artilerike me vlerë prej 1 miliard £ (1.15 miliardë euro) për Ukrainën. Kjo e çon mbështetjen financiare të Londrës për Ukrainën në 3.8 miliardë £ (4.4 miliardë euro) këtë vit.

 

Kancelari Scholz viziton vendtrajnimin e ushtarëve ukrainas

Gjermania

Edhe Berlini heziton të publikojë shifra të sakta për dërgesat e sistemeve më moderne të armëve. Thuhet se Ukraina ka marrë një numër të panjohur të sistemeve të radarëve të zbulimit të artilerisë “Cobra” nga industria gjermane, si dhe sistemin e mbrojtjes ajrore IRIS-T SLM. Pak më e saktë Ministria e Mbrojtjes është kur flet për dërgimin e 20 tankeve kundërajrore GEPARD, për të cilat Berlini në fakt merr shumë inkurajim nga SHBA dhe Ukraina.

Ekuipazhet ukrainase të këtij tanku kundërajror u trajnuan në Gjermani gjatë verës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, dorëzimi i dhjetë GEPARD të tjerë është në proces. Së bashku me Holandën, Gjermania dorëzoi dhjetë “Panzerhaubitz 2000” dhe mësoi ushtarët ukrainas në Gjermani se si t’i përdorin ato. Gjermania aktualisht po punon me një listë të furnizimeve ushtarake me 28 artikuj. 22 prej tyre i atribuohen industrisë gjermane, pra nuk janë pjesë e pajisjeve të Bundeswehr-it. Ndër to janë edhe 12 tanke malore, 16 shtresa të blinduara për ura BIBER, por edhe 200 kamionë, 12 pajisje të rënda për transport M1070 Oshkosh dhe 14 kamionë të tjerë me rimorkio.

 

 

Leopard II A4

 

 

Deri më sot, nuk ka pasur asnjë shenjë se Berlini do ta furnizojë Ukrainën me tanke luftarake nga rezervat e Bundeswehr-it, si për shembull tanku për luftë Leopard II. Kancelaria dhe Ministria e Mbrojtjes e kanë refuzuar deri tani edhe dërgimin e automjetit Marder, të cilin Kievi e ka kërkuar që herët nga Gjermania. Rreth 100 Marder gjenden aktualisht të parkuar në Flensburg, në një oborr industrial. Rezerva ka edhe tanke Leopard I, të cilat i ka kërkuar Kievi në pranverë. Sipas qeverisë federale, nga Gjermania janë dërguar pajisje të ndryshme në vlerë prej më shumë se 733 milionë euro, nga 1 janari deri më 5 shtator. Ndërsa në korrik kancelari Scholz ka premtuar edhe pajisje të tjera në vlerë prej më shumë se 500 milionë euro.

Vendet e tjera

 

 

Shikuar nga përformanca e tyre ekonomike, shtetet e Bashkimit Evropian, Estonia, Letonia, Polonia dhe Lituania kanë dërguar deri tani në Ukrainë më së shumti ndihma – si ushtarake ashtu edhe civile. Sidomos menjëherë pas fillimit të pushtimit rus më 24 shkurt. Polonia i ka dorëzuar Kievit më shumë se 200 tanke të prodhimit sovjetik. Ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht foli së fundi për marrëveshjet për të ashtuquajturin zëvendësim me Sllovakinë, Republikën Çeke dhe Greqinë. Këto vende do të marrin armë si zëvendësime nga Gjermania për armët që dërgojnë në Ukrainë./