Një ngjarje që nga shqiptarët nuk dukej se do të kishte ndikim të madh, ajo po vazhdon të jetë pjesë e politikës botërore.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar të mërkurën se ka ngrirë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke i akuzuar se qëndrojnë pas sulmit kibernetik të 15 korrikut.
Sulmi kibernetik i 15 korrikut la shqiptarët e Shqipërisë, pa qasje në faqet e internetit të institucioneve të Shqipërisë.
“Në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të anti-terrorit digjital u arrit të zbulohej fillimisht se sulmi kibernetik i 15 korrikut mbi Shqipërinë, ishte një agresion shtetëror. Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakontestueshme se agresioni është sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit. Një agresion shtetëror, hetimi i thelluar na vuri prova të pakundërshtueshme, se agresioni është bërë nga Republika Islamike e Iranit, ka angazhuar 4 grupe, ndër to një nga grupet më famëkeqe, autor i sulmeve të Izraelit, Emiratet e Bashkuara dhe Qipro. Kemi informuar aleatët tanë strategjikë, NATO-ja dhe kemi ndarë dhe rezultatet e pakundërshtueshme”, u shpreh Rama.
Mirëpo, pavarësisht që marrëdhëniet diplomatike me Iranin janë ngrirë, kërcënimet dhe sulmet kibernetike nuk po ndalen.
Shqipëria njoftoi tri ditë më herët edhe për një sulm tjetër kibernetik nga Irani. Kryeministri shqiptar, Edi Rama e bëri publik të shtunën, (10.08) lajmin e një sulmi të ri nga Irani në një postim në twitter, duke theksuar se „një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS!
Por, përveç Shqipërisë, pjesë e këtyre sulmeve është edhe Kosova, e që së fundmi një ekspert
nga Shqipëria, tha se disa sulme bazën e tyre e kanë në një server në Rusi.
Për shkak të këtij sulmi kibernetik SHBA-të, si superfuqia e vetme në botë aktualisht, është vënë në lëvizje për të mbrojtur aleatët më të vegjël. Pas reagimeve të Stejt Departamentit dhe të zyrtarëve të tjerë shtetëror, gjatë ditës së djeshme është kujdesur vetë Sekretari Antoni Blinken të informohet për rastin, duke biseduar në telefon me kryeministrin Rama.
“Sekretari Blinken dënoi sulmin e papërgjegjshëm kibernetik të 9 shtatorit kundër sistemeve të kontrollit kufitar të Shqipërisë, i cili pason sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë më 15 korrik.
Sekretari theksoi rëndësinë e bashkëpunimit SHBA-Shqipëri, si aleatë në NATO, për sigurinë rajonale”, njoftoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, Ned Price.
Vlen të përmendet që një ditë pas vendimit të qeverisë së Tiranës për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, pas provave për sulm kibernetik nga ky vend, burime zyrtare bënë me dije bisedën telefonike të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, Jake Sullivan me kryeministrin Edi Rama, ku rikonfirmohet mbështetja e fuqishme amerikane ndaj Shqipërisë, vendit aleat në NATO pas sulmit kibernetik të Iranit më 15 korrik dhe zotimi nga të dyja palët „për të vazhduar përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar masat e sigurisë kibernetike”.
SHBA-ja menjëherë vendosi sanksione të reja ndaj Iranit, pasi sulmi konsiderohet ndaj vetë NATO-s, meqë Shqipëria prej vitesh është pjesë e saj.
Qarri: Sulmet e tilla kibernetike janë kërcënimi më i madh për sigurinë e shtetit
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, analisti politik, Gani Qarri tregon një historik të shkurtër deri tek ardhja në këtë situatë në të cilën gjendet Shqipëria tani.
Analisti thotë që për pasoj të strehimit të xhihadistëve në Shqipëri, shteti shqiptar u bë shënjestër e sulmeve kibernetike iraniane.
“Në fakt, Shqipëria nga viti 2013, strehon një numër xhihadistësh iranian, të njohur për terror dhe masakra edhe ndaj civilëve kurdë, që mbështeteshin nga Sadam Huseini, të cilët si luftëtarë besnik të Sadam Huseinit, pas pushtimit të Irakut nga SHBA-ja, ata u çarmatosën dhe pasi që në Iran nuk mund të ktheheshin dhe Iraku nuk e donte më prezencën e tyre, ata u shpërndanë në vende të treta. Si persona të akuzuar për terrorizëm, vendet evropiane refuzuan strehimin e tyre në shtetet e veta, ndaj për pasojë të strehimit të xhihadistëve në Shqipëri, shteti shqiptar u bë shënjestër e sulmeve kibernetike iraniane të cilat javën e kaluar arritën kulmin, për çka Qeveria e vendit, pas mbledhjes së dëshmive dhe provave të nevojshme, ka ndërprerë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet islamik”, u shpreh ai.
Më tej, Qarri thotë se sulmet e mirëorganizuara kibernetike kundër Shqipërisë dhe Kosovës, duket se orkestrohen drejtpërsëdrejti nga departamente të veçanta me personel të specializuar mbështetës nga shteti rus dhe ai iranian.
“Megjithëse më 2013 Shqipëria strehoi vetëm 260 sosh, të cilët Fatos Klosi atëbotë i quante terrorist, më 2016, ai jo vetëm që ndryshoi qëndrim, por Qeveria e Edi Ramës mori edhe një numër shumë më të madh të tyre, siç thuhej nga 1000 deri në 2000 sosh, ndaj nga ajo kohë nisi edhe shpeshtimi i ndërhyrjeve të shërbimeve të fshehta iraniane në Shqipëri. Për aq më tepër, përveç Shqipërisë, gjatë këtyre ditëve është sulmuar edhe Kosova, madje një ekspert nga Shqipëria, u shpreh se është vërtetuar që disa sulme, bazën e tyre e kanë në një server në Rusi, akt që dëshmon se po zhvillohet një luftë e përbashkët e organizuar kibernetike Iran-Rusi, kundër Shqipërisë dhe shtetit të Kosovës. Sulmet e mirëorganizuara kibernetike kundër Shqipërisë dhe Kosovës, duket se orkestrohen drejtpërsëdrejti nga departamente të veçanta me personel të specializuar mbështetës nga shteti rus dhe ai iranian, të cilat shihet qartë se zgjedhin me kujdes objektivat e sulmit dhe janë të orientuara për shkatërrimin e infrastrukturës më jetike të dy vendeve tona”, thekson analisti.
Ndër të tjera, ai thotë që sulmet e tilla kibernetike janë kërcënim më i madh për sigurinë e shtetit, dhe kanë për qëllim vjedhjen e të dhënave sekrete, publikimin e informacioneve të ndjeshme shtetërore, bankare e politike, siç ndodhi para do kohësh në Shqipëri me publikimin e rrogave të personaliteteve të ndryshme shtetërore.
“Sulmet e tilla kibernetike janë kërcënim më i madh për sigurinë e shtetit, dhe kanë për qëllim vjedhjen e të dhënave sekrete, publikimin e informacioneve të ndjeshme shtetërore, bankare e politike, siç ndodhi para do kohësh në Shqipëri me publikimin e rrogave të personaliteteve të ndryshme shtetërore e publike, si dhe bllokimin e sistemeve kompjuterike të kompanive më vitale shtetërore e private, të cilat, përveçse shkaktojnë humbje të mëdha financiare, bllokojnë edhe zhvillimin normal të procesit ditor të vendit, deri te bllokimi i veprimeve urgjente në Spitale etj, dhe është e vështirë të zhbllokohen e rivendosen për kohë të shkurtër, serish në veprim”, nënvizoi Qarri për “Bota sot”.
Mehmeti: Sulmet kibernetike rrezikojnë sigurinë ndërkombëtare
Ndërsa analisti tjetër Faton Mehmeti thotë për “Bota sot”, se këto sulme kibernetike janë të dirigjuara nga serbët dhe rusët për të dominuar tek shqiptarët.
“Natyrisht, sulmet kibernetike janë sulme ndaj shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë. Krejt kjo në kuadër të luftës serbo-ruse ndaj shqiptarëve për dominim të serbëve. Shqipëria bëri mirë që ndërpreu marrëdhëniet me Iranin, duhet të vazhdojë njësoj edhe me Rusinë, jam i sigurt se e përfshirë është edhe Serbia”, potencon analisti.
Në fund, ai thekson që këto sulme përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.
“Nga këto sulme kibernetike në duart e Rusisë, Serbisë dhe “punëtorëve” të tyre iranian janë sekretet shtetërore, çka përbën rrezik për sigurinë kombëtare. Në këtë kuptim, duhet reaguar fortë që Kosova dhe Shqipëria të jenë unike dhe të mbrojtura ndaj sulmeve të çdo lloji”, përfundoi Mehmeti