Kurti krenohet me ligjet e miratuara: Krimi e korrupsioni po luftohen, është rritur llogaridhënia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për punën e qeverisë së tij në këtë periudhë, para kabinetit qeverita.

Duke përmendur projektligjet që janë miratuar në Kuvend, Kurti tha se kjo praktikë do të vazhdojë edhe në këtë sesion.

Shefi i ekzekutivit, përmendi luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe projektligjet që kanë të bëjnë me siç tha, mirëqenien e qytetarit.

“Përmes projektligjeve të miratuara kemi luftuar krimin dhe korrupsionin dhe kemi ngritur llogaridhënien ndaj qytetarit me miratimin e shumë projektligjeve”, tha Kurti.

“Për të jetësuar ndryshimin e mirëfilltë demokratik vëmë theks mbi rendin dhe ligjin. Në vetëm 1/3 e mandatit kemi kaluar mbi 150 projektligje ndërkaq në gjysmën e parë të këtij viti janë miratuar 87 sosh në Kuvendin e Republikës. Këtë javë ka rifilluar punën Kuvendi ku nesër do ta kemi seancën e parë të sesionit vjeshtor dhe urojmë që ky sesion të jetë edhe më i suksesshëm”.

Mes tjerash, Kurti thotë se të gjitha këto korrespodojnë me vullnetin ndaj fuqizimit të shtetit.

“Shifrat korrespondojnë me vullnetin dhe kontributin ndaj fuqizimit të shtetit mbi parimet më të mira që mbrojnë të drejtat e liritë themelore dhe pamundësojnë shmangien nga zbatimi i ligjit”.

“Përmes projektligjeve të miratuara kemi fuqizuar mekanizmat për luftimin e krimit dhe korrupsionit nëpërmjet reformës në Këshillin Prokurorial, deklarimin më efikas dhe transparent të pasurisë, potencimin e rolit parandalues të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe inicimit të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme. Përmes projektligjeve të miratuara kemi luftuar krimin dhe korrupsionin dhe kemi ngritur llogaridhënien ndaj qytetarit me miratimin e shumë projektligjeve. Përveç vettingut si reformë në drejtësi, po vazhdojmë me temat që kanë të bëjnë me çështje sociale”.