Szunyog: Integrimi i Kosovës në BE është i lidhur me dialogun Kosovë-Serbi

Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se procesi i integrimit në BE është i lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë, Szunyog në një konferencë për media tha se mënyra e vetme për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin e Evropian është ratifikimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

“Është e qartë se procesi i integrimit në BE është i lidhur me dialogun, dhe mënyra e vetme për Kosovën të hyjë në Bashkimin e Evropian, është duke negociuar dhe ratifikuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve”, theksoi Szunyog.

Këto komente ambasadori Szunyog i bëri pas nënshkrimit të marrëveshjes për programin e parë financiar vjetor IPA III, në vlerën 63.96 milionë euro.

Në këtë konferencë për media, pyetjet e gazetarëve nuk i pëlqyen zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Bislimi nuk deshi të komentojë çështjen e raportimeve se “Elektro Sever” nuk e njeh Republikën e Kosovës, dhe i referohet me fusnotë.

“IPA 2021 është marrëveshja financiare më e madhe që ka Kosova, është pak mungesë respekti po kontaminoni takimin me tema që nuk kanë të bëjnë asgjë me arsyen pse jemi takuar. Për informimin tuaj nuk ka pikë kufitare në Breznicë dhe nuk e di nga e keni marrë këtë informacion dhe kur t’ju thërrasim për me fol për dialogun ju përgjigjem në secilën pyetje që mund të keni por sot fokusi duhet të jetë tek marrëveshja më e madhe financiare nga mekanizmi më i rëndësishëm që ka Kosova në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe mendoj që edhe pyetjet duhet të jenë në nivel të marrëveshjes dhe rëndësisë që e ka e njëjta”, tha Bislimi.

Sa i përket marrëveshjes për IPA III, Bislimi ka thënë se programi i këtij viti mbështet një sërë fushash, për arsim, rini, energji, bujqësi dhe mjedis.

Zëvendëskryeministri Bislimi ka folur edhe për IPA II, ku tha se shumica e mjeteve të kursyera nga ky program do të barten për projektin e filtrave për termocentralin “Kosova B”.

“Ajo që ne kemi bërë, është për shkak të vonesave që janë shfaqur si rezultat i pandemisë ku një pjesë të madhe të projekteve të IPA II i kemi zhvendosur edhe për një vit duke shtyrë afatin. Ndërkaq, për projektet që kanë përfunduar dhe kanë rezultuar me kursime i kemi bartur në IPA 2021 në mënyrë që të sigurohemi që asnjë euro cent nga grantet e BE-së të mos i humbim. Duke parë rëndësinë që ka projekti i vendosjes së filtrave në ‘Kosovën B’ shumicën e mjeteve të kursyera i kemi bartur tek projekti i filtrave për “Kosovën B” i cili pritet të fillojë me zbatim në vitin 2024. Ndërkaq, të gjitha projektet të cilat janë negociuar në kudër të IPA 2021 kanë një afat prej tri viteve”, theksoi Bislimi.

Ndërsa, shefi i zyrës së BE-së, Szunyog, tha se programi IPA III ka për qëllim të sjell zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Ai tha se përmes këtij programi synohet kryesisht mbrojtja e ambientit, por edhe çështje të tjera me rëndësi, siç janë projektet për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

“Projekti më i madh është për KEK-un, ne jemi të përqendruar në ruajtjen e ambientit kjo është pjesa më e madhe e paketës prej 16 milion për ruajtjen e ambientit. Një shumë të konsiderueshëm të mjeteve i kemi për përmirësimin infrastrukturor të komunave nëpërmjet granteve të performancës për komuna, që kap vlerën prej 15 milion eurove, e që është shumë e rëndësishme për komunat. Po ashtu kemi afër 15 milion euro për përafrim me BE-në, që nënkupton se duam që Kosova të afrohet sa më shumë me Bashkimin Evropian”, tha Szunyog.

Pas këtij nënshkrimi nisin procedurat për ratifikimin e marrëveshjes në Kuvend.