Samiti i Brdo-Brijunit përfundon me thirrjen që Kosovës t’i hiqen vizat

Në Slloveni është mbajtur sot samiti i 11-të i Brdo-Brijunit, ku u diskutua për situatën në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti i Sllovenisë i cili ishte edhe nikoqir i këtij samiti, Borut Pahor i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të përfundojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën e gjithashtu t’ia japë statusin e shtetit kandidat Bosnjë-Hercegovinës.

Pahor deklaroi pas takimit të samitit Brdo-Brijuni tha se të gjithë të pranishmit miratuan 6 konkluzione.

“1.Ritheksojmë rëndësinë e zgjerimit të BE-së si kontributi më i drejtpërdrejtë për ruajtën e paqes dhe stabilitetin në rajon, zgjerimi është më shumë se gjeopolitikë, 2. Ne bëjmë thirrje për një proces më të shpejtë të integrimit në BE, në përputhje me kushtet e njohura për anëtarësim, 3. Ne bëjmë thirrje për dhënien e statusit kandidat për Bosnje dhe Hercegovinë deri në fund të vitit 2022, 4. Ne bëjmë thirrje për një heqjen e regjimit të vizave për të gjithë Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit 2022, 5. I bëjmë thirrje BE-së të qëndrojë në krah të Ballkanit Perëndimor në zbutjen e pasojave të krizës ekomomike dhe energjetike, dhe 6. Ne afirmojmë përkushtimin tonë për dialogun si e vetmja mënyrë për të kapërcyer dallimet dhe çështjet e hapura në rajon.”, ka shkruar Pahor në Twitter.

I pyetur se nga gazetarët në konferencën për media pas përfundimit të samitit, se a është diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi, dhe se a i është kërkuar Serbisë të njoh Kosovën, Pahor tha se dialogu ka qenë temë diskutimi por askujt nuk i është kërkuar të bëjë diçka.

“Dialogu ka qenë temë diskutimi, por askush nuk ju ka bërë thirrje Serbisë e Kosovës që të njohin njëra-tjetra. Të dy vendeve u është bërë thirrje që të vazhdojnë dialogun dhe përmes tij të zgjidhin të gjitha çështjet e hapura”, tha Pahor.

Përveç nikoqirit të takimit, presidentit slloven, Borut Pahor, në këtë samit morën pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i Shqipërisë, Bajram Begaj, i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Kroacisë, Zoran Millanoviq, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiq.