Shkollat në Kosovë në grevë, ministrja Nagavci shkon në Tiranë për fillimin e vitit të ri shkollor dhe Abetaren

Në Kosovën sistemi arsimor ka hyrë në javën e tretë të grevës së përgjithshme. Shkollat në vend nuk janë duke punuar si pasojë e kërkesës së SBASHK-ut dhe BSPK-së për grevë të përgjithshme.

Pavarësisht takimeve mes Ministrisë së Arsimit dhe dikastereve të tjera qeveritare me sindikatat, marrëveshje nuk është arritur, sa i përket kërkesës së SBASHK-ut, që paga e mësimdhënësve të rritet për 100 euro.

Ndërkohë, sot ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka mbërritur në Tiranë, për të marrë pjesë në ceremoninë e fillimit të vitit të ri shkollor dhe për të prezantuar Abetaren e përbashkët, Kosovë-Shqipëri.

Pas promovimit në Gjakovë, Abetaren e përbashkët unike Kosovë–Shqipëri, ministrja Nagavci deklaroi se tanimë e promovuan edhe në Tiranë.

“Bashkë me kryeministrin Edi Rama, ministren Evis Kushi dhe ministrin Jeton Shaqiri, uruam të gjithë vogëlushët shqiptarë, të cilët do të jenë të parët që do ta fillojnë këtë histori të bukur shqiptare”, deklaroi Nagavci, duke rikujtuar të gjithë ata atdhetarë e intelektualë që i vunë themelet, e bënë rrugë të gjatë dhe plot sakrifica për ruajtjen e identitetit dhe vlerave kombëtare që na bashkojnë.

“Kujtojmë edhe gjithë atë plejadë mësuesish që ngritën breza të tërë duke luftuar analfabetizmin dhe paditurinë për të ngritur kështu një komb të tërë drejt një shoqërie të emancipuar, të ditur e konkurruese me botën e zhvilluar”.

Për krijimin e Abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri, qeveritë e të dy vendeve janë dakorduar vitin e kaluar në një nga mbledhjet e përbashkëta.