Kryeministri Kurti: Gëzimi i fillimit të vitit të ri shkollor, është kthyer në hidhërim shtetëro

Gëzimi i fillimit të vitit të ri shkollor, sipas kryeministrit Albin Kurti është kthyer në hidhërim shtetëror.

Ai ka deklaruar se në vend të bojkotit të shtetit, fëmijëve duhet tu mundësohet që të vijojnë mësimin në shkolla. Derisa ka komentuar grevën e punëtorëve arsimorë, ai ka theksuar se askush nuk mund të paguhet nëse nuk punon.

Në ditën e përurimit të Abetares së përbashkët të Kosovës e Shqipërisë, nxënësit nuk ishin në shkolla.

Kryeministri Albin Kurti nga Gjakova u ka bërë thirrje edhe një herë punëtorëve arsimorë që të ndërprejnë grevën. Ndërkohë që i ka quajtur absurde kërkesat e këtyre të fundit.

Ai theksoi se 90 për qind të administratës janë duke punuar.

“Unë e kuptoj që greva është instrument i sindikatave, mirëpo sindikatat vetë nuk bën të jenë instrument të bojkotit të qeverisë e shtetit. Shkolla është shteti, shkolla nuk bën të bojkotohet. Shkolla duhet të ketë edhe mësuesin e mësuesen, duhet ta ketë nxënësin, mësimnxënien. Meqenëse është e drejtë elementare, njerëzore për secilin fëmijë edukimi. Këtë e parasheh edhe kushtetuta dhe ligjet tona. Andaj unë shpresoj që do të mbizotërojë racionaliteti dhe do të vazhdojë mësimi. Asnjë ditë e humbur e mësimit nuk kompensohet kollaj. Andaj unë ju bëj thirrje të gjithë prindërve, nxënësve, mësimdhënësve që ta kuptojnë që jemi me një moment shumë të rëndësishëm e historik dhe kurrsesi nuk bën të braktiset mësimi”, ka deklaruar Kurti.

Ai theksoi së Ligji për Pagat është në diskutim paraprak dhe pas një jave do të jetë edhe në diskutim publik. Sipas tij, koeficienti për mësimdhënësit është më i mirë se më parë.

“Në vend se t’i bëhet grevë e bojkot shkollës, qeverisë e shtetit duhet të bashkëpunim në mënyrë që fëmijët që janë e ardhmja jonë të jenë të edukuar dhe të mësuar… Të gjithë fëmijët e kanë pritur me gëzimin 1 shtatorin dhe është shumë dëm që gëzimi i 1 shtatorit të shndërrohet për një politizim sindikal në hidhërim shtetëror. Sot është ditë e hidhërimit shtetëror e shoqëror për të gjithë ata të cilët nuk i kanë mësimet, ose nuk i japin ato”, ka shtuar ai.

Derisa u ka bërë thirrje mësimdhënësve që të ndërprejnë grevën, Kurti shtoi se nuk mund të ketë dëshira irracionale të cilat përcaktojnë agjenda shtetërore.

Ai shtoi se nuk ka urrejtje e as hakmarrje ndaj askujt.

“Një gjë duhet ta kuptoni, nuk mund të paguhen njerëzit për një punë që nuk e bëjnë. Prandaj janë bërë ndryshime demokratike në Kosovë në shkurtin e vitit e kaluar, e kemi shënuar një 1 vit e gjysmë para një jave. Njerëzit duhet të paguhen sipas meritës, nuk duhet të paguhen për mospunë, nuk duhet të paguhen pse nuk punojnë. Kjo nuk është vetëm një çështje e ligjit dhe qeverisë, por është një çështje e arsyes së shëndoshë njerëzore”, tha ai.

Për më tepër, siç tha Kurti, kërkesa për pagesa edhe kur nuk punohet, është kthim i avazit të vjetër i cili është përmbyllur me qeverisjen e tij.

Kurti u ka bërë thirrje drejtorëve të arsimit që të mos ju bëjnë trysni drejtorëve të shkollave dhe arsimtarëve për mos mbajtje të mësimit.

“Kur dikush thotë dua të ma rrisësh pagën 100 euro, pyetja është pse jo 300? Pse veç 100? Planifikimet financiare, shtetërore nuk bëhen në mënyrë të papërgjegjshme, duhet ta kuptojmë që pako e ringjalljes ekonomike, 7 për qind të bruto produktit vendor gjithsej vjet edhe sivjet ka qenë 570 milionë euro. Buxheti është rreth 3 miliardë euro. Nuk mund të marrim buxhete të shteteve të tjera që të plotësojmë kërkesa irracionale, është e pamundur… Kërkesat absurde, të cilat janë dëshira irracionale nuk mund të hasin në mirëkuptimin tonë. Mua më vjen keq për këtë, por realiteti dhe mundësitë janë të këtilla”, deklaroi ai.

Sot në ditën e parë e fillimit të vitit shkollor, mbi 320 mijë nxënës në Kosovë është dashur të ulen në bankat shkollore. Megjithatë, me vendimin e BSPK-së, punëtorët arsimorë janë në greva.