Ndërron jetë fituesja e Palmës së Artë të këtij viti

Aktorja dhe modelja afrikano-jugore Charlbi Dean, ylli i filmit Triangle of Sadness, fituesja e Palmës së Artë të këtij viti, vdiq në New York, njoftoi zëdhënësja e saj, duke konfirmuar informacionet nga mediat e specializuara.

Sipas Deadline, aktorja 32-vjeçare ka ndërruar jetë sot “papritmas” në një spital në qytetin e New Yorkut. Për momentin nuk ka të dhëna të tjera për shkakun e vdekjes.

Në filmin Triangle of Sadness të regjisorit suedez Ruben Estlund, Dean luan Jaja, një top-modele dhe influencuese e fiksuar pas imazhit dhe karrierës, së cilës i ofrohet një lundrim luksoz me të dashurin e saj, gjithashtu model.

Pesë vjet pasi mori Palmën e Artë për filmin “Quadrat”, këtë maj Ruben Estlund fitoi Palmën e Artë të dytë në Festivalin e 75-të Ndërkombëtar të Filmit në Kanë për një satirë rreth super të pasurve dhe luksit, i vlerësuar si filmi më qesharak në konkursin e Kanës.

Charlbi Dean u lind më 5 shkurt 1990 në Cape Town të Afrikës së Jugut. Ajo nisi të merret me modelim në moshën 6-vjeçare dhe vazhdoi karrierën kinematografike në moshën 20-vjeçare me filmat afrikano-jugorë “Spud” (2010) dhe “Spud 2” në vitin 2013, me John Cleese.