Shefi i Zyrës së BE-së në Beograd “përgëzon” Serbinë për njohjen e letërnjoftimeve të Kosovës

Shefi i Zyrë së Bashkimit Evropian në Beograd, Emanuele Giaufret, “përgëzoi” Serbinë për, siç tha ai, “qasjen konstruktive në zhbërjen e dokumenteve hyrëse/dalëse me Kosovës”.

Kjo, tha ai, “i kontribuon lëvizjes së lirë të njerëzve”, referuar dakordësimit të të dyja palëve për t’i hequr dokumentet në fjalë.

“Procesi i dialogut nën lehtësimit e Bashkimit Evropian vazhdon, dhe dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e tjera të mbetura”, tha Giaufret në televizionin N1.

Pas aplikimit të masës reciproke për lëshimin e dokumenteve hyrëse/dalëse për shtetasin serbë, Serbia hoqi dorë nga kjo praktikë.

Megjithatë, në vend të atyre fletëve, ka vendosur një “disclaimer” në pikat kufitare, ku thuhet se pranimi i dokumenteve të shtetit të Kosovës “bëhet vetëm për arsye praktike” dhe se ajo “nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës”.

Megjithëse letërnjoftimet janë pranuar, çështja e pasaportave ende nuk është hapur.