Gjykata Themelore në Prishtinë merr vendim ndaj dy të miturve të dyshuar për krimin çnjerëzor ndaj 11 vjeçares

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për dy të miturit e dyshuar për krimin monstruoz ndaj 11 vjeçares më 27 gusht.

Gjykata përmes një postimi në Facebook ka dhënë detajet e plota për këtë vendim.

Sipas Gjykatës, vlerësohet se lënia në liri e këtyre dy të dyshuarve mund t’u krijojë mundësi atyre që t’i fshehin e asgjësojnë provat e krimit, andaj është marrë masa e paraburgimit.

Postimi i plotë

Është caktuar masa e paraburgimit ndaj të miturve G.J dhe XH.S për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale të Dhunimit

Prishtinë, 30 gusht 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të miturve G.J dhe XH.S për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale të Dhunimit.

Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të miturve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin veç e veç.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ku dyshohet se është kryer ndaj një të miture dhe me lënien në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia, ekziston rreziku që të njëjtit do ti asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuaren dhe në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të njëjtit në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.