Marrëveshjen për letërnjoftimet, PSD: Kjo qeveri legalizoi dokumentet ilegale, të vulosura nga Serbia

Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion të martën para objektit të Qeveris, duke kindërshtuar marrëveshjen e fundit për letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Me pankartën e madhe me mbishkrimin “Strukturat paralele u legalizuan, rroftë Qeveria”, PSD-ja kritikoi Qeverinë se Serbia po iu lëshon serbëve të Kosovës dokumente identifikimi, me mbishkrimin “Departamenti i Policisë për: Mitrovicë e Kosovës, Prishtinë, Pejë, etj”.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, konsideron se marrëveshja e fundit me Serbinë për letërnjoftime është e dëmshme për Kosovën

“Iku pa u komentuar, pa u dalluar, pika që e bëri të pranueshme për Vuçiqin marrëveshjen për dokumentet e identifikimit (ID). Problemi fillon kur kjo pikë bëhet pozicion zyrtar edhe i shtetit tonë. Kjo qeveri legalizoi dokumentet ilegale, të vulosura nga Serbia. Letërnjoftimet në fjalë e trajtojnë Kosovën si pjesë të brendshme të Serbisë. A nuk është ky cenim dhe degradim? Por në fund të ditës, këto marrëveshje të pjesshme nyjëzohen tek Asociacioni etnik. Prej deklaratave që nuk do të diskutohet për çështje të brendshme të Kosovës e deri te pozicioni që njeh dokumentet ilegale është kapërcim i madh. Zhvillim dramatik! Deklarata publike nga Kurti, Bislimi dhe Konjufca se nuk bëhet fjalë për Asociacion, kur bisedohet me Serbinë, i mori uji. Pozicioni i Kosovës kundër Asociacionit po tretet. Mbase kurrë nuk paska qenë. Dhe krejt kjo në emër të normalizimit të marrëdhënieve. Por çka po normalizohet? Ky term nuk është neutral. Në këtë situatën po normalizohet mosnjohja, po përjetësohet tensioni dhe po ruhet konflikti. Zhurma e festës së propagandës nuk mund as t’i kompensojë, as fsheh humbjet”. THA mOLLIQAJ.
Me këtë marrëveshje, shtetasit e Kosovës do të mund të kalojnë nëpër Serbi me letërnjoftim të Kosovës, njëjtë edhe ata me letërnjoftime të Serbisë mund të futen në Kosovë.Deri më tash, Kosova lejonte një mënyrë të tillë të lëvizjes, derisa Serbia në hyrje të territorit të saj pajiste shtetasit e Kosovës me një dokument të përkohshëm, pasi nuk i njihte letërnjoftimet RKS.