Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte shkuar në Londër për ta pyetur ish-përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian, Catherine Ashton se “çka nënkupton dialogu me normalizim”.
Bislimi kishte thënë se ishte takuar me Ashton për të kuptuar më shumë për Ascoiacionin e komunave me shumicë serbe, por Haziri tha ndryshe.
“Unë nuk kam mujtë kurrë me kuptu pse një negociator i Kosovës duhet me shku në Londër me bisedu me ish-përfaqësuesen e BE-së për me e kuptu çka nënkupton dialogu me normalizim”, tha Haziri në Kanal10.
“Është thënë publikisht që negociatori i Kosovës, zëvendëskryeministri ka shkuar në Londër, e ka takuar ish-negociatoren në emër të BE-së për ta kuptuar se si do të ndodhë. Është e pakuptimtë”, ka shtuar ai.
Në fillim të këtij muaji, Bislimi zbuloi se kishte udhëtuar për në Londër dhe ishte takuar me Ashton për të biseduar rreth Asociacionit.
“Unë kam bërë një udhëtim për në Londër, ku kam bërë një takim me Ashton, dhe kam biseduar se çfarë ka qenë ideja e Asocacionit. Ka shpërputhje të madhe mes asaj çka është diskutu në Bruksel si ide, dhe çfarë propagon Serbia te vendet. Asocacioni nuk ka pasë kurrë idenë të bëhet mbrojtës i drejtave të serbëve, gjykatat janë mbrojtës të të drejtave, dhe jo OJQ”, kishte thënë Bislimi në RTK.