E thotë Kurti: Targat “KS” nuk mund të rikthehen më në qarkullim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar pse nuk është prononcuar pas takimit të 18 gushtit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Gjatë fjalës së tij para ministrave në mbledhjen e qeverisë, ai tha se ka pasur një dakordim interno për mosprononcim, nga brenga që kjo do të ndikonte negativisht në dialog

“Nuk jam prononcuar pas takimit të 18 gushtit meqë ka pas një dakordim interno për mosprononcim për mosacarim nga brenga që kjo do të ndikonte negativisht në dialog, jo të gjithë i janë përmbajtur këtij dakordimi”.

Kreu i qeverisë kosovare tutje tha se dokumenti për hyrje-dalje për qytetarët serbë që hyjnë në vendin tonë, është pajisje legjitime, dhe siç tha ai, ajo fletë A4 është vetëm një letër e thjesht pa asnjë aftësi për të cenuar fizikisht apo dëbuar mbajtësit e tyre.

“Është vetëm një letër e thjesht A4 pa asnjë aftësi për të cenuar fizikisht apo dëbuar mbajtësit e tyre siç po manipulohet artificialisht dhe paskrupullt opinioni publik. Një fletë A4, s’mund të bëhej ajo fletë kurrfarë rrezikimi të integritetit fizik, kurrfarë cenimi apo dëbimi siç trumbetohet prej mediave të kontrolluara. Ne s’ju marrim gjë qytetarëve, ne ju japim atyre një fletë A4, s’bëhet fjalë për kurrfarë konfiskimi, bëhet fjalë për pajisje legjitime, me një dokument legjitim në kuadër të marrëdhënieve të mira fqinjësore”, u shpreh kryeministri.

 

 

Sa i përket konvertimit të targave, kryeministri tha se targat KS s’ka nevojë dhe s’mund të rikthehen më në qarkullim.

“Sa i përket dritares për regjistrim të targave të vetura nga ato ilegale në legale, kjo dritare është mbyllur më 15 janar 2018, dhe rihapja e saj nga ana e qeverisë sonë është vetëm indikator i vullnetit të mirë. Sidomos faktit që kjo dritare e re është e shoqëruar me një varg masazh nxitëse për qytetarët e targetuar. Me rastin e konvertimit të këtyre targave ata janë të kursyer nga pagesa e taksës doganore, akcizës dhe TVSh që mund të shkojë rreth 5 mijë euro për veturë. Kjo është motivim financiar për një gjë plotësisht legale dhe legjitime. Në marrëveshjen e vitit 2016, presidenti serb si nënshkrues i saj e ka pranuar që këto targa janë ilegale si dhe e ka pranuar që mundësia për regjistrim me targa KS është e përkohshme. Ata që i kanë konvertuar veturat e tyre gjatë periudhës janar 2017 dhe janar 2018 poashtu e kanë ditur këtë dhe rrjedhimisht që nga shtatori i vitit 2021 i kanë konvertuar të gjitha targat e tyre nga KS në RKS pa asnjë incident të vetëm”, tha Kurti.

 

“Edhe te konvertimi i deritanishëm i targave edhe tek lëshimi i atyre 2679 dokumenteve hyrje dalje përgjatë 19 orëve të së hënës së 1 gushtit, nuk kemi asnjë incident dhe asnjë ankesë. Targat KS s’ka nevojë dhe s’mund të rikthehen më në qarkullim. Qeveria e konsideron Kosovën si shtet sovran dhe buron prej kësaj shtetësie dhe s’mund të legjitimojmë neutralitet vetanak ndaj vet statusit të saj, se njëri prej opsioneve ka qenë që ne prodhojmë targa neutrale. Jam i bindur që pala serbe pa nevojshëm është duke eskaluar si retorikën ashtu edhe veprimet në fushën e sigurisë. Si e tillë kjo përben cenim të drejtpërdrejt si të sigurisë nacionale ashtu edhe të rajonit në tërësi. Mendoj që këto kërcënime synojnë që padrejtësisht të krijojnë epërsi në negociata duke kërcënuar BE-në por edhe ShBA apo Anglinë me tensione në të ardhmen”.

Më tej, kryeministri Kurti tha se kërcënimet me largim eventual të qytetarëve të minoritetit serb ndaj institucioneve të Kosovës përbëjnë dominim të narratives së kriminelëve si ajo e Milan Rajdojqitit.

 

 

“Kërcënimet me largim eventual të qytetarëve tanë të minoritetit serb ndaj institucioneve të Kosovës përbëjne dominim të narratives së kriminelëve si ajo e Milan Rajdojqitit e jo të atyre që integrimin e shohon si primar. Besoj që përfaqësuesit e qytetarëve serbë më së paku do të duhej të përfaqësojnë dhe të shtyjnë përpara narrativa të individëve që kanë promovuar dhe vazhdojnë të promovojnë krimin e organizuar dhe që kanë arritur deri në listën e zezë të ShBA-ve. Siguroj gjithë qytetarët e pakicës të minoritetit serb që Qeveria është qenësisht e interesuar për integrim të plotë për të gjithë qytetarët e vendit për promovim të plotë të lirisë së lëvizjes”, tha ai.