Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është deklaruar pas darkës së përbashkët të opozitës me të dërguarin e posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Ecscobar.
“Gjatë darkës në rezidencën e Ambasadorit amerikan Jeffrey M. Hovenier, me të dërguarin e posaçëm për dialogun z. Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit, zhvilluam një diskutim të frytshëm për gjetjen e zgjidhjeve rreth zbatimit të sundimit të ligjit në veri të Kosovës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat dhe mik i besueshëm dhe së bashku do ta ruajmë paqen dhe sigurinë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook,
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, ai i LDK-së Lumir Abdixhiku dhe i pari i AAK-së Ramush Haradinaj dhe i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar kanë darkuar në rezidencën e ambasadorit amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier.
Të tre liderët opozitarë do të kenë një takim të përbashkët edhe me emisarin e BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.