Agjenda e Escobar në Kosovë: Fillimisht takon presidenten Osmani, pastaj darkë pune me opozitën

I dërguari i Presidentit Joe Biden për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë ditës së sotme do të qëndrojë për vizitë në Kosovë.

Nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë konfirmuar se, Escobar udhëton drejt Kosovës për të ofruar mbështetje për dialogun Kosovë-Serbi.

Emisari amerikan, në Prishtinë do të qëndrojë bashkë me përfaqësuesin special të BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak.

Gjatë ditës së sotme, Escobar fillimisht do të takohet me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Siç kanë njoftuar nga Presidenca e Kosovës, takimi me Osmanin do të zhvillohet në ora 16:30.

Pa takimit me presidenten, Escobar do të takojë edhe përfaqësuesit politikë opozitarë të Kosovës.

Takimi i Escobar me opozitarët kosovarë do të zhvillohet në rezidencën e ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, si darkë pune.

Ftesën për darkën që do të shtrohet sot mbrëma në rezidencën e Ambasadorit amerikan në Prishtinë, ia kanë konfirmuar të hënën Gazetës Online Reporteri.net zëdhënësit e tre liderëve opozitarë, Memli Krasniqit, Lumir Abdixhikut dhe Ramush Haradinajt.

Ndërsa, gjatë ditës së mërkurë, emisarët e SHBA-ve dhe BE-së, pritet të takojnë krerët e shtetit, Kryeministrin Albin Kurti.

Përveç Prishtinës, Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan për Evropën dhe Euroazinë do ta vizitojë edhe Beogradin.

Qëndrimi i Escobar dhe Lajcak në Prishtinë, e për të vazhduar pastaj në Beograd, vjen pa kaluar një javë nga takimi i 18 gushtit në Bruksel, në mes Kurtit e Vuciqit. Takim ky i ndërmjetësuar nga BE-ja, e që të pranishëm kishte edhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell por që nuk shënoi ndonjë përparim në dialogun Kosovë-Serbi. Sikurse nuk është arritur që të binden palët që të arrijnë as marrëveshje për tejkalimin e tensioneve të fundit në veri të Kosovës si dhe për çështjen e targave të veturave dhe dokumentet serbe.

Për ta mbështetur takimin Kurti-Vuciq, në Bruksel, më 18 gusht kishte udhëtuar edhe Escobar, nga ku ishte treguar optimist se do të arrihet një marrëveshje Kosovë-Serbi “e cila ruan sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës dhe gjithashtu parandalon dhunën”.