Para pak ditësh ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë proceduar Projektligji për pagat dhe Projektligji për zyrtarët publikë.
Menjëherë pas kësaj ka reaguar Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi, i cili, përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ka thënë se në lexim të parë dhe pa bërë analiza të thella, draftligji aktual nuk e kalon filtrin e Gjykatës Kushtetuese.
“Draftligji për Pagat: Në lexim të parë dhe pa bërë analiza më të thella, me kushtin që koeficienti është 120 euro, sikurse po theksohet në publik dhe nëse draftet e ligjit dhe dokumentet përcjellëse që kanë dalë në publik janë dokumente që do të dalin në konsultim publik, draftligji aktual nuk e kalon filtrin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.
Drejtori i IKD-së ka shtuar se me draft ligjin aktual ulen ndjeshëm pagat e prokurorëve, gjykatësve dhe që kjo qasje cenon sigurinë juridike.
“Me draftligjin aktual ulen ndjeshëm pagat e prokurorëve, gjykatësve të gjykatave të rregullta dhe gjykatës kushtetuese, shërbimit diplomatik etj. Një qasje e tillë cenon sigurinë juridike dhe financiare të secilit zyrtar publik që i zvogëlohet paga. Nëse nuk ndryshojnë koeficientet, nuk ndryshohet krejtësisht qasja në këtë hartimin e këtij ligji, i njëjti është hartuar për të mos hyrë në fuqi, ose edhe mund të fitohet besimi se drafti aktual është për të blerë kohë. IKD-ja do të marrë pjesë në konsultime publike dhe do të hartojë dhe publikojë raporte analitike për dy draftligjet, për paga dhe zyrtarët publikë”, përfundoi Miftaraj