Përgatitjet për takimin e sotëm mes Kosovës dhe Serbisë

Të dërguarit amerikan dhe evropian për Ballkanin Perëndimor dhe bisedimet Kosovë – Serbi, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, thanë të mërkurën së presin përparim në bisedimet e së enjtes ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Ata zhvilluan takime të ndara me të dy udhëheqësit të cilët të enjten do të takohen në përpjekje për të zbutur tensionet ndërmjet të dyja palëve, që pasuan reagimet serbe ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit mbi përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.

I dërguari amerikan Gabriel Escobar tha se duhet kërkuar zgjidhje “që mundësojnë qëndrueshmëri rajonale”.

Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit Beogradi ngulë këmbë, zoti Escobar tha se ai duhet të themelohet “në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës”.

I dërguari evropian Miroslav Lajçak tha se pret përparime ndërsa nënvizoi se “përmes bisedimeve dëshiron që më 1 shtator të shmanget situata e tensionuar e 31 korrikut”.

Kryeministri I Kosovës, Albin Kurti tha se me të dërguarit perëndimorë është diskutuar për “elemente të kornizës për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, si dhe për çështjet aktuale”.

Me një gusht qeveria e Kosovës vendosi të shtyjë për një muaj zbatimin e masave të reciprocitetit me Serbina, me kërkesë të ambasadorit amerikan Jeff Hovenier, i cili tha se shtyrja ishte e nevojshme pasi ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimet.

Të mërkurën kryeministri Kurti tha se ‘shtyrja është bërë më 31 korrik për datën 1 shtator, dhe me atë rast kemi dëshmuar – me datën 1 gusht – se nuk konfiskojmë dokumente, siç ka qenë fushata e dezinformimit. Në anën tjetër, është e mundshme që më 1 shtator nuk do të lëshojmë dokumente, sepse edhe Serbia do të heqë dorë prej lëshimit të dokumenteve në vendkalimet kufitare me Kosovën. Ne dëshirojmë marrëdhënie reciproke”, theksoi ai.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se ka rikonfirmuar “vendosmërinë e Serbisë për të bërë gjithçka që të ruajë paqen dhe qëndrueshmërinë në gjithë rajonin, si dhe të arrijë zgjidhje kompromisi përmes dialogut, pa trysni dhe ultimatume”.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që u shpall me mbështetjen perëndimore, duke llogaritur në përkrahjen e Rusisë dhe të Kinës, ndonëse i ka shpallur integrimet evropiane synim të saj. Por një aspiratë e tillë kushtëzohet me një marrëveshje normalizimi të marrëdhënieve me Kosovën.