Ministri turist i Shëndetësisë : Rifat Latifit s’i zihet vendi-vend, pse shkon kaq shpesh sidomos në Austri?

Ende pa kaluar mirë një muaj kur ishte në Austri, ministri i Shëndetësisë sërish shkon në Austri. Pse ky ministër, e ka kaq në qejf shëtitjen, kur sistemi shëndetësor në Kosovë vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme. Vizita e tij e fundit në Austri, në fakt, duket se i shërben personalisht ministrit, për ta pasuruar CV-në e tij.

Pavarësisht gjendjes së rëndë në sistemin shëndetësor të Kosovës, ministri i Shëndetësisë, z.Rifat Latifi, vazhdon të bëj disa vizita të çuditshme, sidomos në shtetin e Austrisë. Në rrethana normale, kjo nuk do të përbënte lajm, por nëse lexohet ky rresht i një pjese nga letra që mjekët e Klinikës Kirurgike ia dërguan Ministrisë së Rifat Latifit, vërtet duket absurde.

“Aktualisht jemi duke operuar fëmijët me improvizime të rrezikshme për shëndetin e pacientëve. Në kujdestaritë tona, ne kemi vetëm një instrumentare dhe nuk kemi fare instrumentare te rrethit.”, shkruhej në letrën, rreshtat e së cilës i lexuam edhe sot në një postim të gazetares së njohur sidomos në shëndetësi, Gentiana Hasani.

 dje vërejti – pasi lexoi krejt njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë – lidhur me vizitën e Latifit në Austri, se në fakt, kjo vizitë i shërbente personalisht atij, për ta pasuruar CV-në e tij. Kjo, pasi ministri i Shëndetësisë, po qëndron në Kongresin Botëror të Kirurgjisë, ku prezantoi një punimin të vetin, ndër më të mirët, siç na njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë, në fundjavë dolën statistikat për mos-shpenzimin e buxhetit nga Qeveria për projekte kapitale, ku vërehet se për shembull, në shëndetësi, nuk është investuar madje as për blerjen a ambulancave, e lëre më për ndërtime të qendrave të mjekësive familjare.

Shih tabelën me ZERO investime:

 

 

Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, ishte parë edhe me kryeministrin Albin Kurti gjatë vizitës së tij të parë në ShBA. Kujtojmë se në fillim të mandatit të tij në këtë detyrë (kur ishte larguar Arben Vitia nga ky post), ministri Latifi kishte shkuar poashtu në SHBA për ‘punë të veta’, të cilin, kryeministri Kurti e pati arsyetuar duke thënë se ‘mund të punonte online nga Amerika’. Kjo kishte ndodhur kur Kosova po përballej me gjendjen e rëndë të pandemisë.

Ministri Latifi shquhet për deklarata të tilla si:

 “Kam vizitu shumicën e spitaleve rajonale. Kam vizitu shumë komuna, shumë qendra familjare nëpër rreth Kosovës. S’kam mbërri tana me i pa.  “Kam qenë një ditë në Psikatri, jo si pacient (plas e qeshura), por si ministër, me iu thanë të drejtën, ju kisha lutë ju të gjithë deputetëve shkoni në Psikatri, me e pa …(qeshet ministri, qeshen deputetët)”, thotë Latifi, përcjell Periskopi.

Nuk dihet se kur do ta ndalë turizmin ministri Latifi, dhe se kur, në të vërtetë, do të fillojë të punojë si ministër i Shëndetësisë.