Edhe UNMIK-u përfshihet, lëshon një reagim para takimit Kurti-Vuçiq

Një ditë para takimit të kryeministrit Kurti me presidentin Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, UNMIK ka lëshuar një reagim. Përfaqësuesja e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, u ka bërë thirrje “të gjitha palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të mbajnë integritetin e procesit të dialogut”.

Në një komunikatë për media, Ziadeh citohet të ketë thënë që është e rëndësishme që të promovohet “një klimë e favorshme për dialog të mirëfilltë”.

“Është tejet e rëndësishme që të promovohet një klimë e favorshme për dialog të mirfilltë. Palët duhet të punojnë me mirëbesim për të adresuar çështjet e pazgjidhura, duke kapitalizuar angazhimin e 11 viteve të fundit dhe duke siguruar që të ndërtohet mbi të arriturat me mund në dialogun e lehtësuar nga BE-ja,” tha Ziadeh.

“Dialogu dhe kompromisi janë rruga e vetme e qëndrueshme drejt stabilitetit, prosperitetit dhe sigurisë për të gjithë,” deklaroi ajo.