Kosova është renditur krah shteteve evropiane që duke fikur dritat në objekte dhe rrugë të cilat nuk kanë nevojë për drita gjatë natës, si pjesë e një përpjekjeje kombëtare për të kursyer energjinë mes frikës së mungesës së rrymës gjatë sezonit të dimrit.
Krerët institucionalë dhe ata komunalë kanë rënë dakord për këtë plan të veprimit të përbashkët që pret të nis së zbatuari nga kjo javë.
Se KEDS-i për këtë ka marrë ‘aminin’ e Qeverisë dhe disa komunave, e tha për Klankosova.tv, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.
“Ne jemi duke u takuar me krerët e komunave dhe ka dakordim për këtë çështje, deri tani jemi takuar me kryetarët e komunave të Prishtinës dhe Gjilanit që kanë shprehur dakordimin dhe mbështetjen e tyre disa objekte dhe rrugë të mos kenë energji elektrike gjatë natës. Kështu sado pak të zbutet kriza e energjisë elektrike”.
“Por, takimet do të intensifikohen edhe me kryetarë të komunave tjera që në përgjithësi e kanë mbështetur këtë iniciativë për kursim”.
Buzhala, mes tjerash, tha se pos dakordimit që për qëllim ka kursimin e energjisë elektrike ka nisur edhe identifikimi i rrugëve dhe objekteve që nuk kanë nevojë për drita gjatë natës, njofton Klankosova.tv.
“Me të gjithë krerët që jemi takuar deri tani e edhe me Qeverinë kemi marrë mbështetjen për këtë plan e veprimit të përbashkët. Bashkërisht jemi duke identifikuar objektet dhe rrugët që nuk kanë nevojë për energji gjatë natës dhe në këtë mënyrë të kursejmë energji elektrike dhe që gjatë dimrit krizën ta kemi më të lehtë për ta menaxhuar”.
“Meqë identifikimi ka nisur gjatë javës pritet që të bëhet edhe finalizimi dhe futja në zbatim e këtij plani të përbashkët”, tha Buzhala për Klankosova.tv.
Tutje, Buzhela thotë se edhe pse Ministria e Ekonomisë njoftoi mbrëmë për furnizimi të rregullt të energjisë, me kërkesë të KOSTT-it edhe paraditen e sotme ka pasur reduktime.
“Edhe pse Ministria e Ekonomisë gjatë ditës së djeshme njoftoi për furnizim të rregullt të energjisë elektrike, reduktime ka pasur edhe paraditen e sotme. Kjo pasi Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT ka kërkuar që të ketë reduktime për shkak të energjisë elektrike”.
“Paradite ka pasur reduktime, aktualisht nuk ka. Por, jemi në komunikim orë pas ore me KOSTT-in për reduktime”, tha Buzhala.
Zëdhënësi i KEDS-it po ashtu përsëriti apelin e vazhdueshëm që qytetarët të kursejnë qysh tash energjinë elektrike në mënyrë që të ketë furnizim gjatë dimrit.
“E gjithë Evropa është në krizë energjetike dhe kriza e furnizimi dhe reduktimet e mundshme gjatë dimrit varen nga shumë faktorë si; prodhimi vendor, kërkesa e konsumatorëve, çmimet e energjisë në tregun ndërkombëtar. Kriza veçanërisht varet edhe nga kërkesa e konsumatorëve – ne qysh tash verës në vazhdimësi jemi duke apeluar tek qytetarët që të kursejnë energjinë dhe për dimër të bëjnë gati ngrohje alternative, duke ndërruar kaldajat apo mënyrën e ngrohjes”, u shpreh Buzhala.
Kujtojmë se kohë kur inflacioni dhe kriza energjetike është e lartë, shumë shtete në Evropë po kërkojnë mënyra për të ulur konsumin e energjisë dhe po fikin dritat në objekte e monumente gjatë natës.