KEDS reagon pas deklaratës së Ministrisë për “humbjen dhe vjedhjen e rrymës”

Ministria e Ekonomisë, përmes një komunikate për media, e ka akuzuar Kompaninë Kosovare për Distribuimin me Energji Elektrike në Kosovë se po i toleron vjedhjet e rrymës, mirëpo nga KEDS-i kjo deklaratë nuk është parë si akuzë. Lidhur me këtë për Express ka folur zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Në komunikatën e ME-së thuhet se humbjet komerciale të shkaktuar nga vjedhjet dhe ato teknike të KEDS janë 19 për qind. Kjo ministri ka thënë se këto humbje nuk mbulohen nga KEDS-i.

“Askush, e aq më pak qytetarët dhe buxheti i vendit, nuk duhet të paguajnë çmimin e lartë të importit për ata që tolerohen të vjedhin energji. Prandaj, në këto kushte Qeveria, me mjetet dhe kompetencat e saj, do të ndërhyjë për ta minimizuar deri në ndalje të plotë këtë dukuri, pa asnjë kompromis”, vazhdon komunikata.

Mirëpo, KEDS thotë se këto nuk janë akuza. Përkundrazi, zëdhënësi i kësaj kompanie, Viktor Buzhala, i ka falenderuar ministrinë dhe qeverinë “për gatishmërinë në luftimin e humbjeve”.

 

“Ne e falenderojmë ministrinë dhe qeverinë e vendit për gatishmërinë në luftimin e humbjeve. Sigurisht që këtu duhet të jetë më shumë agil edhe sistemi i drejtësisë, i cili nuk ka qenë në nivelin e duhur, pasi që mijëra lëndë që ne i kemi dërgu brenda vitit, pjesa më e madhe nuk kanë arritur të shqyrtohen fare. Është mirë mos e toleru hajnat, po çka me bo që sistemi i drejtësisë është shumë i brishtë”, tha Buzhala në një përgjigje për Express.

Ai tha se një përqindje e humbjeve janë humbje në të gjitha sistemet elektroenergjetike të botës. Ai deklaroi se humbjet që i kanë trashëguar kanë qenë “shumë të larta, por kanë arritur t’i zvogëlojnë ato”.

“Një përqindje e caktuar e humbjeve janë humbje në krejt sistemet elektroenergjetike të botës. Humbjet që ne i kemi trashëguar kanë qenë shumë më të larta, diku mbi 30 – 32 për qind, ndërsa ne falë angazhimit maksimal kemi arritur që t’i zvogëlojmë ato”, tha Buzhala.

Në komunikatën e sotme të Ministrisë së Ekonomisë thuhet se Qeveria do të marrë masa për çështjen e ngrohjes gjatë muajve në vijim “për t’i ndihmuar qytetarët”.

“Tutje, Qeveria do të marrë masa për çështjen e ngrohjes gjatë muajve në vijim për të ndihmuar qytetarët. Prandaj, të gjithë qytetarët dhe sipërmarrësit, të cilët janë duke planifikuar të bëjnë investime në sistemet e tyre të ngrohjes, ftohen e rikujtohen që t’i ndërrojnë ato nga energjia elektrike në forma të tjera të burimit të energjisë”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, ministria ka njoftuar se Kosova A-A3 dhe A4 janë në prodhim, në Kosova B – B1 është përfunduar remonti dhe është në prodhim, ndërsa në B2 remonti ka filluar dhe pritet të përfundojë më 26 gusht 2022.