Ish-kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj, ka shprehur opinionin e saj rreth “shamisë në shkolla” që këto ditë papritmas u rikthye si temë në nivel kombëtar.
Ka nisur një fushatë, përmes së cilës kërkohet të ndryshohet një Udhëzim Administrativ për shkollat e Kosovës, i cili, ndër të tjera, ndalon uniformat fetare për nxënësit.
Opinioni ndërkaq është ndarë në dysh, dhe, edhe ish-ministrja Haradinaj, ka shprehur mendimin rreth kësaj teme.
Ajo thotë se para se të diskutohet për bartjen e shamisë në shkolla fillore dhe te mësme si e drejtë, duhet të debatohet në rend të parë se a është bartja e shamisë nga vajzat e mitura një e drejtë njerëzore.
Haradinaj se nuk mund të quhet një e drejtë, imponimi i një veshjeje ndaj një vajze të mitur, që nuk mund të gjykojë dhe të vendosë për vetën e saj.
Më poshtë gjeni të plota dhe pa ndërhyrje disa postime të lidhura me njëra-tjetren, që i ka bërë Haradinaj në Twitter:
Para se ta trajtojmë bartjen e shamisë në shkollat fillore e të mesme si e drejtë bardh e zi, duhet t’a debatojmë para së gjithash – se a është fare ‘e drejtë njerëzore’ bartja e shamisë fetare nga vajzat e mitura?
A mund të definohet si ‘e drejtë dhe liri njerëzore’ një imponim veshjeje ndaj një vajze e cila ende nuk mund të gjykojë e të vendosë për veten e saj?!
Asnjëherë NUK mund t’a quajmë ‘të drejtë njerëzore’ një imponim të prindit ndaj vajzës së mitur për të bartë shaminë, e pastaj përmes këtij imponimi (të kamuflluar si e drejtë nj.) të shtyejmë përpara agjenda e interesa të grupeve fetare, politike e ekonomike – permes shkolles!
Lejimi i bartjes së shamisë për vajzat në shkolla fillore e të mesme do lehtësonte e legjitimonte akoma më shumë diskriminimin dhe shtypjen ndaj vajzave tona që në moshë të mitur, pa patur asnjë barrierë a pengesë për një gjë të tillë.
Në momente hamendësimi popullor, sikurse është rikthyer sot debati mbi shaminë, uniforma obligative në shkolla fillore dhe të mesme do të ishte zgjidhja. Në universitet, le të vendosë secili e secila për menyrën e veshjes/paraqitjes personale.
Kosova është shtet sekular, dhe të gjithë duhet të ‘luftojmë’ t’a mbajmë e forcojmë si të tillë.