Oficeri gjerman akuzohet për spiunazh në favor të Rusisë, fillon gjyqi ndaj tij

Në aktakuzë thuhet se një nënkolonel i ushtrisë gjermane ka punuar për shërbimin sekret rus GRU. Ai ka punuar nga simpatia, jo për para, por ka marrë favore të tjera, thuhet në aktakuzë.

Në landin NRW ka nisur gjyqi kundër një oficeri rezervë të ushtrisë gjermane. Ai dyshohet se i ka dhënë informacione sekrete rusëve prej vitesh. 65-vjeçari duhet të përgjigjet para Gjykatës së Lartë Rajonale të Dyseldorfit ku akuzohet për spiunazh.

Sipas prokurorit federal, oficeri rezervë nga vendi Erkrath i ka dhënë shërbimit sekret rus GRU informacione mbi rezervistët gjermanë dhe bashkëpunimin civilo-ushtarak në situata krize midis 2014 dhe 2020. Bëhet fjalë edhe për efektet e sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë në vitin 2014 si dhe tubacionin Nord Stream 2 në Detin Baltik.

 

Përveç kësaj, i akuzuari thuhet se u ka dhënë rusëve detajet e kontakteve private të anëtarëve të lartë të Bundeswehrit dhe përfaqësuesve të biznesit. Politika e sigurisë dhe e mbrojtjes së SHBA-së dhe aleatëve të saj perëndimorë është një çështje tjetër që përmendet. Sipas aktakuzës, dokumentet dhe informacionet kanë ardhur pjesërisht nga burime publike, por edhe nga burime jopublike.

Në rezervën e Bundeswehrit, nënkoloneli ishte në një komandë ndërlidhëse të qarkut si nënkryetar. Në dy biseda informative, ai në masë të madhe ka pranuar se ka dhënë informacione, tha një zëdhënëse e gjykatës, kur u pyet nga DPA. Zyra e prokurorit federal dyshon si motiv simpatinë për Rusinë. Në hetimet e deritanishme nuk ka të dhëna për pagesa me para të shërbimeve. Por i akuzuari kishte shpresuar për avantazhe të tilla si ftesa për konferencat e sigurisë në Rusi – ftesa të tilla edhe ka pasur.

Rekrutimi nga “atashetë ushtarakë”

 

 

Siç thuhet në aktakuzën prej 107 faqesh, shërbimi i kundërzbulimit ushtarak (MAD) ishte informuar për oficerin rezervë në vitin 2018. Sipas revistës Der Spiegel, ai u rekrutua nga dy punonjës të shërbimit sekret, që zyrtarisht ishin atashe ushtarakë në ambasadën ruse.

Gjykata ka caktuar 20 ditë seanca për këtë çështje, deri në mes të dhjetorit 2022./DW