Çmimet e banesave shkojnë në qiell, 1300 euro metri katror në Prishtinë

Rritja e çmimeve të produkteve të ndërtimit ka rritur çmimin e patundshmërive në Kosovë duke bërë që fuqia blerëse të bjerë.

Vetëm gjatë këtij viti, sipas disa agjencive të patundshmërive dhe kompanive të ndërtimit, çmimi për metër katror për banesa është rritur deri në 200 euro.

Mesatarja e çmimit të banesave në Kosovë, sipas tyre, është rreth 1000 euro për metër katror.

Në vitin 2021, mesatarja e çmimit të banesave, thonë ata, ka qenë 800 euro.

“Secili ndërtues është duke e rritur çmimin e banesave në logjikën sa është rritur materiali që e ndërton ndërtesën”, thotë Meriton Cana nga një agjenci për patundshmëri në Prishtinë.

Metri katror në Prishtinë mesatarisht 1.300 euro

Në Prishtinë ku edhe ka ndërtime më të mëdha të ndërtesave të banimit, çmimet janë më të shtrenjtat, ndërkaq Fushë Kosova është qyteti me çmimet më të lira.

Faton Hoxha, kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve në Kosovë thotë se vetëm në Prishtinë mesatarja e çmimit të banesave nga 1.070, sa ka qenë në vitin 2021, aktualisht është rreth 1300 euro.

Hoxha shton se rritja e çmimeve është vërejtur edhe në qytete të tjera të Kosovës, siç janë Prizreni, Gjakova, Gjilani e Ferizaj, ku çmimi për metër katror është nga 700 deri në 900 euro.

Në Fushë Kosovë, shton Hoxha, metri katror i banesave në vitin 2021 ka qenë 550 euro, tani është rreth 700 euro.

Hoxha shton se nuk mund të parashihet rënie apo rritje e çmimit, pasi që ka lëvizje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve të ndërtimit.

Shitja e banesave bie për 70 përqind

Ilir Meleqi nga kompania ndërtimore nga Prishtina, BM Group, thotë se në rritjen e çmimit të banesave ka ndikuar shtrenjtimi i produkteve ndërtimore për 50 për qind, siç janë betoni dhe hekuri.

Ai, po ashtu, shton se rritja e çmimit të banesave ka ndikuar në uljen e fuqisë blerëse.

“Nëse e krahasojmë muajin qershor të këtij viti me vitin e kaluar, shitja e banesave ka rënë për 70 për qind. Në muajt e verës kur diaspora vjen në Kosovë, çdo vit ka shumë shitje, këtë vit ka rënë. Interesim ka pasur, por blerje jo”, thotë ai.

Rënien e shitjes së banesave e thotë edhe Meriton Cana nga agjencia e patundshmërive ANEM.

“Njerëzit interesohen për të blerë, po jo me çmimet që janë në treg”, thotë Cana.