Kurti nuk tërhiqet: Reciprocitetit ndaj Serbisë vendoset më 1 shtator

Qeveria e Kosovës është duke zhvilluar mbledhjen e radhës.
Në fillim të kësaj mbledhje, kryeministri Albin Kurti, është deklaruar i bindur se nuk do të tërhiqen nga vendosja e reciprocitetit ndaj Serbisë, në lidhje me tabelat e automjeteve si dhe dokumentet.

Kryeministri Kurti theksoi se përballë fushatës që po bëhej për informimin dhe thirrjen për vendosjen e ligjshmërisë për tabelat dhe dokumentet, ishte ngritur edhe një fushatë e dezinformimit që nxiste frikë dhe synonte destabilitet, e që ishte në shërbim të barrikadave.

“Në përbërje me individë të armatosur, e me të kaluar kriminale barrikadat u bënin rezistencë vendimeve tona vetëm që të mbronin krimin e organizuar në veri të vendit.Të dashur bashkëqytetarë, konvertimi i targave të automjeteve nga ilegalet në RKS i shërben rendit dhe ligjit, sigurisë publike dhe lëvizjes së lirë në Republikën tonë.Duke i kontribuar këtyre qëllimeve, në të njëjtën kohë mund të përftohet nga lirimi i taksave doganore, tarifat për targën dhe pajisja për targë të automjetit që kapin shifrën prej rreth 5 mijë euro.Në anën tjetër vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje, për ata që prezantojnë dokumentet serbe nuk do të pengojë lirinë e lëvizjes.Koha e pritjes është mesatarisht 20 sekonda, ndërkohë që për një masë të njëjtë tash e 11 vjet ne duhet të presim ndërmjet 10 dhe mbi 60 minuta”,deklaroi Kurti, shkruan lajmi.net.

Ai theksoi se kishte dëgjuar për lajmin e rremë se ID-të apo dokumentet serbe do të konfiskohen në kufi në këmbim të dokumentit për hyrje-dalje, por se kjo nuk është e vërtetë.

“Ai dokument është shtesë që jepet pa pagese e me të cilin mund të merren edhe shërbime të tjera në institucionet tona gjatë qëndrimit në Kosovë.Më 1 gusht në pikat kufitare ishin lëshuar gjithsej 2 mijë e 679 dokumente për hyrje-dalje, asnjë incident nuk ishte shënuar dhe asnjë ankesë nuk ishte deponuar.Askush nuk është imun ndaj lajmeve të rreme dhe rreziku prej tyre është shumë i madh.Jetojmë në një epokë sfiduese e na duhet kujdes i shtuar. Sot dezinformimi paraqet rrezik për vendin. Ju bëjë thirrje të ndiqni njoftimet nga institucionet, të verifikoni burimet e lajmeve  të mos u dezinformohuni nga ata që duan destabilizim”,shtoi Kurti.

Kryeministri gjithashtu tha se fushata e Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e tabelave të automjeteve do të vazhdojë e nuk do të ndalet as pas 1 shtatorit kur do të fillojmë së zbatuari reciprocitetin.

“Ndërkohë dua të iu falënderoj për durimin, vetëpërmbajtjen që keni treguar të dielën dhe të hënën e 1 gushtit. Barrikadat në veri nuk vinë nga poshtë, por vendosen nga lartë, ato as nuk përfaqësojnë qytetarët tanë, e as nuk i mbrojnë.Kurse në anën tjetër Policia e Kosovës dhe institucione të tjera të vendit përbëhet nga qytetarët tanë pa dallim dhe janë në shërbim të qytetarëve tanë pa dallim”,përfundoi ai.