Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur konkurs më 4 gusht përmes të cilit po synon punësimin e 50 personave si zyrtarë administrativë, në pozitat nëpunës administrativ dhe mbështetës.
Atyre që aplikojnë, sipas njoftimit të MPB-së nuk iu kërkohet as diploma e fakultetit e as përvoja e punës. Konkursi që do të jetë i hapur edhe dy ditë ka nxitur reagime te sinjalizuesit, të cilët pretendojnë se ky konkurs është ‘gatuar’ për persona të caktuar.
Në kushtet e vendosura nga ministria për ata që aplikojnë thuhet se për t’u pranuar në këtë pozitë kërkohet një diplomë e shkollës së mesme, nuk kërkohet përvoja e punës, por që duhet të kenë shkathtësitë kompjuterike në Word, Excel, Power Point.
Nga ata që vendosin të aplikojnë janë edhe disa ‘Kërkesa (Njohuri, Aftësi dhe Cilësitë) të përgjithshme të nevojshme’ që MPB po i kërkon.
Aty thuhet se kërkohen njohuritë bazike sipas fushë të arsimit përkatës; njohuri lidhur me procedurat standarde administrative/teknike në një fushë të caktuar; aftësi për të punuar në kuadër të planeve dhe procedurave të përcaktuara; njohja e njërës prej gjuhëve zyrtare të Republikës së Kosovës (me shkrim dhe me gojë) është e domosdoshme.
Por të gjithë ata që aplikojnë dhe i plotësojnë këto kushte dhe rrjedhimisht pranohen nuk dihet se në cilën qendër do të punojnë. Në konkursin e ministrisë që është hapur për 50 vende në gjithë Kosovën, nuk është e cekur se sa pozita po kërkohen për secilën qendër.
Në konkursin e hapur thuhet vetëm se të pranuarit do të punojnë ‘Në Qendrat për Pajisje me Dokumente dhe Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve në Komunat Kosovës’.
Sipas njoftimit, të drejtë aplikimi kanë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të moshës madhore, të cilët kanë zotësi të plotë për të vepruar, kanë përgatitjen e nevojshme arsimore dhe aftësinë profesionale për kryerjen e detyrave që kërkohen për pozitën përkatëse.
Paga e 50 personave që do të punësohen do të jetë 423.85 euro (Bruto), ndërkohë periudha e Kontratës me afat të caktuar, prej një viti.