Efektivi i policisë Arjan Tase ka qenë i ngarkuar emocionalisht në seancën gjyqësore për vlerësimin e masës së sigurisë.
Ai i ka shprehur ngushëllime familjes së Jonadës dhe i ka kerkuar ndjesë Policisë së Shtetit.
“Arrest me burg” për Arjan Tasen, kjo është masa e sigurisë që dha Gjykata e Vlorës.
Për Tasen është dhënë akuza “Vrasje e kryer në formën e dashjes indirekte”, parashikuar në nenin 76 të Kodit Penal
Efektivi Arjan Tase më 2 gusht 2022, vrau me skaf vogëlushen 7 vjeçare Jonada.
Vajza po lahej me të atin në plazhin e Potamit në Himarë kur helikat e skafit që drejtohej nga komisari Tase e dëmtuan duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Pse nuk ishte vrasje nga pakujdesia
Si prova për të mbështetur këtë akuzë është dhe fakti që Tase kishte patentë për mjetin ujor dhe dinte shumë mirë rrezikun që paraqet lundrimi i këtyre mjeteve në breg të detit për qytetarët.
Gjithashtu efektivi dinte rregullat që nuk duhej të shkelte, njëra prej tyre dhe fakti që ka futur mjetin lundrues në hapësirën ujore të përcaktuar për pushuesit. Kjo hapësirë ujore ka qenë e rrethuar me bova plastike, sipas përcaktimeve në aktet ligjore që normojnë këtë aktivitet.
Ka qenë rreth orës 14:00, (2 gusht 2022) kur efektivi i policisë i cili ishte me pushime, pasi ka zbarkuar në breg personat e tjerë në bordin e skafit ka kryer manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur. Nga këto manovrime të pakujdesshme, 15 metra larg bregut, drejtuesi i mjetit ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, Jonadën duke i shkaktuar plagë të rënda që kanë sjellë humbjen e menjëhershme të jetës.