Situata e mbrëmshme në veri të vendit është vazhdimësi e luftës hibride të cilën e udhëheq Rusia dhe Serbia, vlerëson kështu eksperti i sigurisë, Agim Musliu.
Sipas tij, shqetësuese është prezenca e bandave me maska dhe të armatosura në veri të vendit, për çka thotë se KFOR-i duhet të shqetësohet ndërsa institucionet e Kosovës të jenë aktive. Ai thotë se persona të tillë janë të gatshëm të ndezin konflikt në atë pjesë të Kosovës.
Në një intervistë për KosovaPress, Musliu derisa komenton zhvillimet e fundit në veri, thekson se një situatë e tensionuar më së shumti i konvenon presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
“Kjo që kemi parë mbrëmë është një vazhdimësi e luftës hibride, të cilën e udhëheqin Rusia së bashku me patericën e saj në Ballkan, Serbinë nëpërmjet presidentit të Serbisë, kriminelit të luftës zotëri Vuçiq dhe është në vazhdimësi të saj për tu ndaluar, për tu penguar, apo për të blerë kohë më tepër dhe për të përfituar më shumë nga ndërkombëtarët, apo më mirë të themi për të përfituar në kohë, dhe për të përfituar edhe në para, kinse shqiptarët po e pengojnë popullatën serbe në veri dhe janë të kërcënuar po nga shqiptarët… Sipas meje kjo situatë më së shumti i konvenon Putinit. Sepse ai dëshiron që të ndez edhe një vatër krize tjetër në Ballkan, për të penguar demokratizimin e Ballkanit, në fakt e ka të tërën luftën ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, thotë Musliu.
Musliu thotë se situata në veri është e qetë derisa përmend rastet kur ajo do të mund të tensionohej.
“Janë disa momente, momenti i parë dhe mendoj që është kyç, i cili mund të shqetësojë më së shumti qytetarët serbë dhe institucionet e Kosovës, janë paraqitja e njerëzve me maska në veri të Kosovës, e që nuk është hera e parë. Por për këtë herë janë paraqitur edhe të armatosur në mes të ditës dhe ekziston mundësia që Rusia dhe Serbia në bashkëveprim t’i dërgojnë bandat e tyre të njohura që operojnë në territorin e Serbisë dhe Rusisë që të ndikojnë në destabilizimin e situatës në Kosovës. E kjo duhet t’i shqetësojë më së shumti serbët e veriut të Kosovës dhe të shtyjë edhe më aktive institucionet e Republikës së Kosovës”, thotë ai.
Megjithatë, eksperti i sigurisë vlerëson se qytetarët e Kosovës duhet të ndjehen të qetë, e këtu thekson mbështetjen e forcave aleate të Kosovës.
“Pas 30 ditësh nuk do të ndërrojë asgjë sa i përket as sigurisë as implementimit të këtij vendimi të qeverisë, unë mendoj sepse nuk mund ta parashikoj, mund të ndryshojë situata, por sa i përket këtyre strukturave që gjenden në veri atëherë duhet që KFOR-i para se gjithash, pasi e ka mandatin e plotë për të vepruar në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, KFOR-i duhet të shqetësohet për prezencën e këtyre njësive në veriun e Kosovës të këtyre njerëzve, këtyre bandave me maska që operojnë dhe që janë të gatshëm të ndezin konfliktin në këtë pjesë të vendit”, thotë ai.
Ndër të tjera, Agim Musliu u ka bërë thirrje mediave që të mos i kushtojnë rëndësi lajmeve të rrejshme që vijnë nga Serbia por t’u besojnë plotësisht deklarimeve nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shtetasit serbë të pajisjen me dokumente të hyrje-daljeve me të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës.
Vendimi ka nisur të implementohet nga ora 24:00 e së hënës ndërsa të dielën serbët kanë vendosur barrikada në pikat kufitare, Jarinjë e Bërnjak.
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se janë të gatshëm të shtyjnë për 30 ditë implementimin e këtij vendimi nëse barrikadat largohen nga pikë kalimet kufitare.