Paralajmërimi i qeverisë së Kosovës, për zbatimin e vendimit për reciprocitet në targat dhe dokumentet me Serbinë, sollën situatë të tensionuar dje në veriun e Kosovës. Disa qytetarë serb në veri, vendosën barrikada në dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, si dhe u raportua për të shtëna me armë.
Situatën e krijuar në veri të Mitrovicës ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati e sheh si shenja të destabilizimit në Kosovë dhe rajon.
Kastrati në një prononcim për tha se ajo që ndodhi në Veri është skenar i Rusisë që ka për qëllim destabilizimin e Ballkanit.
“Absolutisht unë mendoj se janë shenja të destabilizimit në Kosovë dhe në rajon. Ky është skenari i Rusisë nëpërmes Serbisë që dëshirojnë që Ballkanin ta mbajnë nën tensione për t’i arritur qëllimet e veta atje në pjesën ku janë duke luftuar Rusi-Ukrainë. Qëllimi final i Serbisë dihet që moti që nëpërmes agjentëve të vet dhe ekstremistëve lokal ta destabilizoj Kosovën dhe në fund si qëllim kryesor e kanë ndarjen e veriut të Kosovës dhe për t’i bashkangjitur Serbisë
Ish-komandanti i FSK pati kritika edhe kryeministrin e vendit, Albin Kurtin.
Ai e konsideron papjekuri të qeverisë vendimin e fundit, pasi nuk u konsultua me Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe as me ekspertë të sigurisë.
“Unë e përkrahi plotësisht reciprocitetin dhe mendoj që kjo që ka ndodhur mbrëmë ka ndodhur një papjekuri e qeverisë së Kosovës sepse një vendim e merr tash pas një ore e anulon. Unë e kuptoj ndikimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por fillimisht është dashur që ai ( Kurti) të konsultohet edhe me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe me ekspertë të sigurisë që ai vendim të jetë i qëndrueshëm dhe të mos kthehet mbrapa”, shtoi ai.
Kastrati e quajti ‘poshtërim’ zmbrapsjen e qeverisë karshi vendimit që ka marr dhe kjo tani e vendos Kosovën në një situatë të pakëndshme.
“Unë e quaj poshtërim që jemi dorëzuar para ekstremistëve serb dhe jemi dorëzuar para një veprimi që është i papranueshëm për neve dhe për gjithkënd që e respekton shtetin, integritetin dhe sovranitetin e vet. Qeveria është dashtë të konsultohet paraprakisht me partnerët tonë strategjik, në veçanti me ShBA-në dhe me ekspertë të sigurisë e jo të merr vendime dhe pas një ore t’i anuloj ato dhe njëfarë mënyre ta qet vetën në pozitë të keqe dhe shtetin e Kosovës”, ka thënë ish-komandanti për Periskopin.
Sipas tij Kosova është paralajmëruar edhe më herët se do të ketë ngritje të tensioneve, duke mos përjashtuar edhe një konflikt.
“Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës paraprakisht do të duhej ta vlerësojnë çdo veprim të Serbisë se ku ata dëshirojnë të arrijnë. Ne e kemi parë ekstremistin që kërkohet nga Kosova, Milan Radojqiq e kemi parë para një kohe të shkurt duke e reklamuar vetën ne malet e veriut të Kosovës. Ai ka qenë paralajmërim i një destabilizmi apo paralajmërim i një ngritje të tensioneve ndoshta edhe ajo e fundit që nuk dëshiroj të ndodh, një konflikt”, përfundoi ai.
Kujtojmë se dje Qeveria e Kosovës e ka shtyrë vendimin për targat dhe dokumentet serbe deri me 1 shtator. Ky vendim erdhi pas kërkesës së Shteteve të bashkuar të Amerikës.
“Ne mendojmë se një shtyrje e tillë do të ishte e rëndësishme, sepse duket se ka dezinformim dhe keqkuptime për këto vendime. Ne shpresojmë se do të punojmë me këtë Qeveri dhe kolegët nga Bashkimi Evropian që të sigurojmë se këto marrëveshje kuptohen më mirë dhe në këtë mënyrë të ulim tensionet”, ka deklaruar dje ambasadori amerikan Jeff Hovenier.
Ndërsa Qeveria doli me njoftim se vendimi do të shtyhet në momentin që largohen barrikadat në veri të Kosovës
“Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se në katër raste janë maltretuar dje shqiptarë që kanë qarkulluar në pjesën veriore të vendit, aty ku u vendosën barrikada.
Sipas Policisë qytetarët kanë pësuar lëndime trupore si dhe u janë thyer automjetet.
“Deri më tani janë raportuar katër raste ku qytetarët shqiptarë të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë janë ndaluar dhe maltretuar, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre, nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve. Policia e Kosovës të gjitha veprimet e mëtejme do ti ndërmerre në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, ka njoftuar Policia.