Pritje të gjata në Merdare, mërgimtarët thonë se janë bërë të zakonshme

Në pikën kufitare Merdare janë krijuar kolona të gjata të veturave për të dalë nga Kosova, kryesisht mërgimtarë që po kthehen në vendet e tyre.

Në kufirin me Serbinë, mërgimtarët akuzojnë shtetin fqinj për pritjet e gjata, megjithatë thonë se këto janë bërë të zakonshme dhe se nuk dihet nëse bëhen të qëllimshme për shkak të vendosjes së reciprocitetit për letërnjoftime nga pala kosovare.

Qytetari Valbon Suka, thotë për KosovaPres se është duke pritur tashmë tri orë e gjysmë në këtë pikë kufitare.

“Jemi rreth 3 orë e gjysmë këtu, vij nga komuna e Suharekës dhe po eci për në mërgim… goxha gjatë me tre fëmijë me prit”, tha ai.

Qytetari tjetër, Muhamet Bytyqi, i cili pas pushimeve në vendlindje po kthehej në Gjermani, tha se mbi 1 orë është duke pritur në Merdare.

Megjithatë, vendimin për reciprocitet e vlerësoi të duhur dhe tha se i njëjti nuk do të duhej të shtyhej.

“Shumë mirë e kanë marrë vendimin por po dojnë me shty për 30 ditë. Kjo është gabim, le të bllokohen rrugët për disa ditë”, tha ai.

Pritjet e gjata, sipas mërgimtarit Fatmir Visoka janë bërë të zakonshme.

“Jam duke prit prej orës 07:00 këtu, tash edhe 30-40 minuta kam me prit se kjo për bashkatdhetarët është e tepërt… Mundet me kanë edhe ajo, por ne si zakonisht gjithmonë kemi pritur”, theksoi ai.

Të hënën ka hyrë në fuqi vendimi për reciprocitet për letërnjoftimet. Përmes të njëjtit shtetasit serbë që hynë në Kosovë do të pajisen me fletëdeklarime për hyrje/dalje në territorin e vendit.