Komuna e Prishtinës ka njoftuar se objekti i “Kino Rinia” i është rikthyer në menaxhim Kryeqytetit pas shumë vitesh.
Pas një pune disamujore të Drejtorisë së Pronës, e cila ka siguruar dokumentacionin e duhur dhe ka bërë verifikimin e tij, Agjencia Kosovare e Privatizimit në mbledhjen e djeshme të Bordit ka votuar pro kërkesës së Komunës së Prishtinës për rikthimin e kësaj kinemaje nën menaxhimin e Kryeqytetit, ka njoftuar Komuna e Prishtinës.
“Kjo, pasi kemi vërtetuar nga Arkivat Komunale e Ndërkomunale që ky objekt është pronë e Komunës së Prishtinës, dhe se deri tash, padrejtësisht është menaxhuar si ndërmarrje shoqërore nga AKP”, theksohet në njoftim.
Njoftimi mund të gjendet dhe në faqen zyrtare të AKP-së.
Kino Rinia ishte nisur të shndërrohej në market
Organizatat “Shtatëmbëdhjetë” dhe “CHwB Kosova”, para dy vitesh kishin alarmuar se Kino Rinia po rrezikohej të kthehej në market, dhe lobuan që ajo të futej në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme.
Në qershor të 2020-ës, kur Kino Rinia po rrezikohej të kthehej në market, organizata të kulturës në bashkëpunim me institucionet arritën që të ndalojnë ri-destinimin e kinemasë në market.
Edhe pse është përdorur si kinema për më shumë se gjysmë shekulli, më nuk e mban këtë funksion ku filmat projektohen.
Ndërtesa është e pozicionuar në zemër të qytetit, mirëpo për pothuajse 20 vite tani është braktisur dhe nuk përdoret për këtë qëllim.
Objekti i ndërtuar në fillim të viteve ’50 për katër dekada pati rolin e një prej hapësirave kryesore kulturore në kryeqytet duke bërë bashkë filmbërës e filmdashës, duke inspiruar gjenerata të tëra për filmin dhe përtej. Kino Rinia 1 dhe Kino Rinia 2, bashkë me kinemanë verore akomodoi qindra shikues në ditë, me shfaqje të filmave vendor, rajonal e botëror.
Vlera e këtij objekti shkon përtej filmit, duke u cilësuar si ‘strehim’ , ‘ikje nga përditshmëria’ dhe ‘udhëtim në botë’, nga shumë prej atyre që frekuentuan rregullisht kinemanë, sidomos në vitet 60 e 70, por edhe më vonë.
Po ashtu edhe një pjesë shumë e rëndësishme është roli që pati në procese të ndryshme shoqërore.
Kino Rinia 1 me 800 ulëse akomodoi edhe dashamirës të muzikës që ndoqën festivale e koncerte të cilat zunë vend aty.
Duke parë vlerën kulturore e shoqërore të këtij kësaj kinemaje dhe mundësinë e fundit të shpëtimit të kinemasë nga privatizimi e kthimi në market apo parking, Shtatëmbëdhjetë dhe CHwB Kosova përpiluan dosjen e Kino Rinisë për futje në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme. Kërkesë kjo e cila u pranua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe u arrit që edhe Kino Rinia të merr statusin e njëjtë sikur dy kinematë e tjera “Lumbardhi” në Prizren dhe “Jusuf Gërvalla” në Pejë. Të tri këto kinema janë ndërtuar periudhën e njëjtë dhe që të tria janë shpëtuar falë iniciativave të komunitetit në përgjithësi.