President i SHBA-ve Joe Biden ka uruar shqiptarët përmes një videomesazhi në ceremoninë që në Tiranë po zhvillohet për 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në.
Biden ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë të qëndrojë krah Shqipërisë.
“Dërgoj urimet më të përzemërta për miqësinë jetëgjatë të SHBA-ve, ndërsa festojmë 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes vendeve tona. Kur SHBA-ja mbrojti pavarësinë e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore u krijua një miqësi e përhershme e popujve tanë, një dashuri e përbashkët për lirinë dhe vlerat e demokracisë të cilat nuk u thyen kurrë edhe në dekadat e diktaturës. Sot Shqipëria dhe SHBA janë aleatë në NATO dhe ne shikojmë në të ardhmen që SHBA-ja të vazhdojë të bashkëpunojë me Shqipërinë. Dua të falënderoj njerëzit në Shqipëri për këtë mbështetje e për mikpritjen e tyre ndaj refugjatëve afganë që arritën në Shqipëri një vit më parë. Në të ardhmen SHBA-ja do të vazhdojë që të qëndrojë pranë Shqipërisë, ndërsa vendi forcon institucionet demokratike, lufton korrupsionin dhe përmbushni udhëtimin për t’iu bashkuar BE. Uroj që dy kombet të vazhdojnë të ndërtojnë gjithçka kemi arritur së bashku. Ne do të vazhdojmë të mbajmë marrëdhëniet me ju të forta, të luftojmë të keqen për të ardhmen e fëmijëve tanë”- tha Biden.
Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se është nder e privilegj që Shqipëria dhe SHBA-ja kanë një marrëveshje strategjike, gjë që është propozuar nga Washingtoni të thellohet. Rama u shpreh se fakti që Shqipëria është baza politike e SHBA është fiks gjëja që Enver Hoxha iu shmang për 50 vjet.
“Është nder e privilegj që kemi arritur kemi një marrëveshje. Kemi marrë një lajm nga Washingtoni për propozim për thellim të marrëdhënies strategjike me SHBA. Shqipëria është baza politike e shteteve të bashkuara në rajon është epiqendra është fiks gjëja që Enver Hoxha luftoi 50 vjet që mos të ndodhte dhe shkoi ndodhi në ekstremin e asaj që ai donte të bënte. Falë kësaj marrëdhënieve ne do ta ndryshojmë rajonin”- tha Rama.
Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve me SHBA-në tha se pa SHBA-në mbase Shqipëria nuk do të ekzistonte.
“Në këtë marrëdhënie ka hyrë në mes një histori e pangjashme me asgjë tjetër që ka përcaktuar edhe këtë nivel e thellësinë të marrëdhënies sonë me SHBA-në. Shqipëria është një vend i vogël, një vend që e ka të domosdoshme një aleat të madh dhe aleat më të madh dhe të fortë se SHBA as Shqipëria dhe askush tjetër nuk mund të gjejë dot. Nëse do ta përfytyronim për një moment të vetëm rrugëtimin e këtyre viteve pa SHBA-në e marrim vetë me mend se çfarë do të ishte Shqipëria sot, gjithçka tjetër por jo një vend ku po zhvillohet një reformë thellë në drejtësi. Gjithçka tjetër kur vijon përpjekja për tu ndarë nga e shkuara. Pa SHBA-në Shqipëri mbase nuk do të ekzistonte dhe pa SHBA-në Shqipëria sot nuk do të ishte as anëtare e NATO-s dhe as anëtare e Këshillit të Sigurimit. Pa SHBA-në Shqipëria nuk do të mund të përballej me të keqen dhe të shkuarën, e cila vijon të shfaqet para nesh nga forma në më të ndryshme”, tha Rama.