SHBA dhe Kosova nënshkruajnë marrëveshjen prej 236 mln $ në fushën e energjisë

Shtetet e Bashkuara dhe Kosova nënshkruan të mërkurën në Uashington marrëveshjen e programit kompakt të Korporatës amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit përmes së cilës pritet të investohen mbi 236 milionë dollarë në sektorin e energjisë. 202 milionë do të sigurohen nga qeveria amerikane.

Marrëveshja, e cila sipas zyrtarëve të Kosovës, është investimi më i madh që do të bëhet në sektorin energjitik në 40 vitet e fundit u nënshkrua nga Ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli Berisha dhe Shefja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Alice Albright.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti ishin të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes.

“Është një marrëveshje tejet e rëndësishme, një mbështetje e jashtëzakonshme e SHBA-së për Republikën e Kosovës që edhe njëherë e vulos partneritetin e palëkundur me Shtetet e Bashkuara”, tha për Zërin e Amerikës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas nënshkrimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur për Zërin e Amerikës, vlerësoi se në kohën e krizës globale energjitike për shkak të sulmit rus në Ukrainë dhe inflacionit që pasoi dhe “në kohën kur Kosova nuk arrin që me prodhimin e saj në stinën e dimrit të mbulojë konsumin…nuk kemi mundur të paramendojmë një marrëveshje më të mirë sesa kjo që bëmë tani me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit”.

Zonja Albright tha se puna me Kosovën ka filluar para disa vitesh në programin përmes së cilit Kosova do të ndihmohet tej mase në sektorin energjetik.