Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku për debatin e sotëm në Parlamentin e Shqipërisë rreth rezolutës kundër raportit të Dick Martyt, ajo ka thënë se nuk komenton mbi çështjet e brendshme të Shqipërisë, por se sipas saj, për këtë adekuat do të ishte kryeministri Albin Kurti.
“Nuk do të përfshihem në debatet e brendshme partiake në parlamentin shqiptar. Ndoshta kryeministri Kurti do të ishte adekuat, sepse ai e ka zakon të ndërhyjë në çështjet politike të brendshme të Shqipërisë. Debatet e brendshme janë të rëndomta në një demokraci dhe ne si politikanë nga Kosova nuk duhet të përfshihemi apo të ndërhyjmë në to”, ka thënë Çitaku.
Tutje Çitaku tha se kjo rezolutë, e iniciuar nga Partia Socialiste atje, është për t’u përshëndetur.
“Propozim-rezoluta e Partisë Socialiste është për t’u përshëndetur, këtu nuk bëhet fjalë për mbrojtjen e emrave të përveçëm, as të Hashim Thaçit, as të Rexhep Selimit, as të Kadri Veselit, as të Jakup Krasniqit, as të tjerëve. Këtu bëhet fjalë për vërtetësinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, natyrën e kauzës sonë, andaj iniciativa të tilla janë për t’u përshëndetur. Unë besoj se rezoluta e sotme, por edhe hapat e tjerë që janë paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama, do të jenë në funksion të së vërtetës”.
Edhe pse disa analistë thanë se kjo rezolutë është e vonuar, Çitaku e tha të kundërtën.
“Kjo iniciativë vjen në momentin e duhur, sepse sikur të lindte para publikimi të aktakuzës, do të kishte ngjallur dyshime. Në këtë betejë nuk kemi nevojë ta bindim njëri-tjetrin, sepse ne e dimë qëllimin e UÇK-së, mirëpo deri në momentin e publikimit të aktakuzës, ne, përkundër bindjes sonë, është dashur të presim dhe të shohim se çfarë po ofrojnë ata, dhe nga publikimi i aktakuzës shihet se asnjë fjalë dhe asnjë presje nga akuzat e ngritura nga Dick Marty nuk qëndrojnë”