Vëmendje: Deri në këtë datë përfituesit e pensioneve në Kosovë kanë kohë për paraqitjen çdo 6 mujore për verifikim

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëri të ditur se sërish do të fillojë procesi i paraqitjes së personave që janë përfitues të skemave pensionale, paraqotje kjo që bëhet çdo 6 muaj për të dëshmuar se janë gjallë se ende jetojnë në Kosovë, pra për arsye të verifikimit.

Derisa deri me datën 15 korrik, kishin kohë të paraqiteshin vetëm ata që nuk ishin të vaksinuar kundër COVID-19, nga data 18 korrik deri me 31 gusht është koha e paraqitjes për të gjithë ata që janë të vaksinuar kundër COVID-19.

Të pyetur nga Gazeta Infokus se a vlen ky vendim për të gjitha kategoritë nga Minsitria e Financave kanë deklaruar se me vendimin e fundit shfuqizohet çdo vendim tjetër edhe ai i datës 08.04.2021, që do të thotë se të gjitha kategoritë e skemës pensionale sërish e kanë obligative paraqitjen në objektet e departamenteve të pensioneve në regjionet ku ata jetojnë.

“Me vendimin e ministrit të MFPT, të datës shfuqizohen të gjitha vendimet  nga 08.04.2021 që do të thotë se të gjitha kategoritë përfituese nga skemat pensionale e që në bazë të legjislacionit obligohen të paraqiten për të dëshmuar në administratën pensionale janë të obliguar që të paraqiten në këtë administrate”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Infokus.

Ndryshe në vendimin e fundit të kësaj ministrie kanë njoftuar se ka filluar procesi i lajmërimit të përfituesve të skemave pensionale me qëllim të verifikimit.

“Nga data 21 qershor deri më datën 15 korrik 2022 do të lajmërohen të gjithë përfituesit e skemës së pensioneve bazike dhe kontributive që nuk janë të vaksinuara me vaksinën kundër COVID 19; Nga data 18 korrik deri më datën 31 gusht do të lajmërohen të gjithë përfituesit e skemës së pensioneve bazike dhe kontributive që janë të vaksinuara me vaksinën kundër COVID 19”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

Por cilat janë dokumentet që kësaj here duhet të kenë me vete të gjitha ata që duan të vazhdojnë të marrin pensionet, këto janë kriteret e ministrisë sipas vendimit të fundit.

“Në rastin e paraqitjes, pensionistët duhet të prezantojnë faturat e rrymës të vendbanimit të tyre. Në rast të qëndrimit me qira, së bashku me faturën e rrymës duhet të prezantohet edhe kontrata e qirasë”, thuhet tutje në njoftim.

Kujtojmë që kjo procedurë e paraqitjes gjatë pandemisë ishte pezulluar për shkak mbrojtjes kundër Covid-19, kurse tani pavarësisht se është rritur numri i rasteve pozitive Ministria e Financave doli me një vendim të tillë që të gjithë përfituesit e skemave sociale të paraqiten për verifikim.

Kjo ani pse se numri i rasteve aktive me covid-19 në vend ka kaluar shifrën 8 mijë të infektuar.