Vonesat në Ligjin e Pagave: Qeveria thotë se është në fazën përmbyllëse, por nuk jep datë se kur pritet të finalizohet

Kosova rrezikon të përballet me grevë të përgjithshme sindikale në muajin shtator, për shkak të vonesës së Qeverisë në draftimin e Ligjit të Pagave. E kjo pritet të ndodh në kohën kur vendi po përballet me shumë probleme; inflacionin, ikjen masive të popullsisë drejt vendeve perëndimore – sidomos të mjekëve dhe interesimin e vogël për t’u regjistruar në universitete publike.

Projektligji i Pagave në Sektorin Publik nuk u miratua në Kuvend gjatë muajit mars, ashtu siç ishte premtuar nga Qeveria Kurti. Në programin legjislativ ishte paraparë që ky projektligj të trajtohet me 30 mars 2022. Por, nuk ndodhi ashtu.

As pas gati katër muajsh, Qeveria nuk e ka gati këtë projektligj dhe ende nuk dihet se kur do të bëhet publik.

Këtë vonesë Qeveria po e arsyeton duke thënë se Ligji në fjalë është shumë kompleks dhe se po tentojnë strukturimin e tij sa më përshtatshëm me kërkesat që dalin prej tij nga njëra anë dhe kapacitetet buxhetore nga ana tjetër.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)

Në një përgjigje për Telegrafin, nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) kanë thënë se projektligji ndodhet në fazën përmbyllëse nga ana e ekzekutivit për të dalë në shqyrtim publik së shpejti.

“Bazuar në dinamikën që është duke u punuar, besojmë që nuk do të vonohet edhe shumë dhe pasi të jetë tërësisht i gatshëm do të dalë në konsultime publike”, thuhet në përgjigjen e tyre.

“Në Kuvend do të dalë pasi që të kalohen të gjitha fazat, siç e parasheh legjislacioni në Kosovë për hartimin e ligjeve”.

Për këtë çështje sot është deklaruar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili në një konferencë për media ka thënë se janë duke punuar që ta finalizojnë sa më shpejtë Projektligjin e Pagave dhe ta nxjerrin pastaj për diskutim publik.