Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim lamtumirës ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se kryeministri Kurti ka falënderuar ambasadoren Hernmarck për bashkëpunimin dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë për Republikën e Kosovës përgjatë viteve.
Ai shprehu mirënjohje për rolin e aktiv të ambasadores në promovimin e barazisë gjinore dhe mbrojtje të mjedisit.
Ai e përgëzoi ambasadoren suedeze edhe për vendimin për aplikim për anëtarësim në NATO, duke theksuar se anëtarësimi i Suedisë në NATO do të jetë vlerë e shtuar për aleancën dhe do të forcojë paqen dhe sigurinë në Evropë.
Bëhet e ditur se ambasadorja Hernmarck ka falënderuar për bashkëpunimin, duke i uruar suksese me reformat që ka filluar, për stabilitetin institucional që ka sjellë dhe për fokusimin në politika që transformojnë jetët e qytetarëve.
Po ashtu, ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Suedisë për përkrahjen e zhvillimit gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm ekonomik, sundim të ligjit dhe shoqëri të lirë e demokratike.
Suedia është ndër katër donatorët më të mëdhenj në Kosovë, e cila ka ndihmuar me mbi 10 milionë euro në vit institucionet publike dhe organizatat e shoqërisë civile në projektet për zhvillim ekonomik dhe demokratik, të drejta të njeriut dhe mbrojtje të mjedisit, që kanë ndihmuar në transformimin e shoqërisë tonë.